Fëmijët jetimë në Durrës marrin dhuratat e kryebashkiakut
DURRËS - Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u ka shpërndarë dhuratat e festave të fundvitit fëmijëve jetimë. Burimet zyrtare nga ky institucion bëjnë të ditur se kreu i Bashkisë ka vizituar dje Shtëpinë e Foshnjës që ndodhet në Shkozet. Në këtë qendër trajtohen 45 fëmijë, 20 prej të cilëve rezidencialë dhe 25 ditorë. Në ceremoninë e zhvilluar dhe merrnin pjesë edhe kryetari i qarkut, Seit Kërtusha dhe prefekti Pajuni si dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë. Kjo qendër, që mbahet me fondet e Bashkisë së Durrësit, përkujdeset për fëmijë nga 0 deri në 10 vjeç.
Olldashi në Kukës: “Negociata me TIA-n për vënien në punë të aeroportit”
KUKËS – Qeveria shqiptare po negocion me konsorciumin që ka marrë Aeroportin e Rinasit për të vënë në punë aeroportin e Kukësit, i cili nuk është vënë në përdorim, ndonëse janë bërë miliona dollarë investime. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, e ka pohuar një gjë të tillë dje gjatë vizitës në qytetin e Kukësit. Sipas tij, vënia në eficencë e aeroportit të Kukësit do të bëhet se shpejti. "Kemi nisur kryerjen e testeve, ndërsa po negociojmë me kompaninë që menaxhon aeroportin "Nënë Tereza" që ka ekskluzivitetin e fluturimeve ajrore për zgjidhjen e problemit", - tha ministri Olldashi. Sipas tij, po negociohet jo vetëm për aeroportin e Kukësit, por edhe për të tjerë që mund të ndërtohen në një të ardhme të afërt. Aeroporti i Kukësit zë një sipërfaqe prej 57 ha, prej të cilëve 17 ha janë të ish-aeroportit të vjetër ndërtuar nga ushtria italiane në vitin 1941. Punimet për ndërtimin e tij kanë përfunduar para 4 vitesh, por ende nuk është vënë në funksionim për shkak të marrëveshjes së qeverisë shqiptare me kompaninë që ka me koncesion aeroportin e Rinasit, ku në një pikë të saj i lihet dorë të lirë firmës koncesionare të kontrollojë plotësisht hapësirën ajrore të vendit. Disa javë më parë u rikthyen sërish protestat e banorëve që pretendojnë për pronësinë e truallit ku është ngritur aeroporti. Zyrtarisht qeveria i hodhi poshtë kërkesat e tyre, me pretendimin se ka përfunduar procesi i dëmshpërblimit. Ndërsa autoritetet vendore thanë se do të verifikohen të gjithë personat që kanë marrë kompensim, pasi mund të jenë bërë abuzime me dhënien e fondeve.
Jepen fondet për 15 familjet e pastreha në qytetin e Kukësit
KUKËS – Pas 18 vjetësh qeveria jep fondet e para për familjet e pastreha në qytetin e Kukësit. Burimet zyrtare nga Ministria e Transporteve pohojnë se është akorduar shuma prej 25 milionë lekësh për të pastrehët, të cilët kanë më shumë se një dekadë që kanë bërë aplikim për të marrë shtëpi. Përmes këtij fondi është mundësuar blerja e 15 apartamenteve në tregun e lirë, një proces që është kryer me transparencë nga një komision. Në tregun e lirë në qytetin e Kukësit çmimi i një apartamenti luhatet nga 1,5 milionë lekë në 1,9 milionë lekë, por ka një tendencë të dukshme për t'u rritur si rrjedhojë e ndërtimit të autostradës që e afron ndjeshëm këtë qyteti me zonat fushore. Përzgjedhja e familjeve të pastreha që kanë përfituar apartamentet janë kryer nga Këshilli Bashkiak ku kanë qenë të pranishëm edhe vetë të interesuarit. Aktualisht në qytetin e Kukësit numri i familjeve të pastreha arrin në 600, në qytetin e Krumës 220 dhe në qytetin e Bajram Currit 415 familje të pastreha.
26 Dhjetor 2008