E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku Sejdini: “Lazen do ta kemi sërish president të Elbasanit”



ELBASAN - Kryetari i Bashkisё sё Elbasanit, Qazim Sejdini, deklaroi dje se i arrestuari për trafik droge dhe grupim të mirëstrukturuar kriminal, Arben Laze, do tё vazhdojё tё jetё president i Klubit të Futbollit të Elbasanit. Sejdini doli para gazetarëve sot duke reaguar mbi arrestimin e bujshëm një natë më parë të presidentit të ekipit elbasanas, Arben Laze, 39-vjeçari i shumëdiskutuar si trafikant drogash të forta. “Pozicioni i Arben Lazes do tё varet nga përfundimi i hetimeve dhe vendimi që do të marrin organet përkatëse tё Drejtёsisё”, - deklaroi z. Sejdini, i zgjedhur si kryetar Bashkie në Elbasan, propozuar nga Partia Socialiste. Biznesmeni i njohur dikur në fushën e sigurimeve, i siguroi më tej mediat se “presidenti Laze vazhdon tё ketё rolin e liderit nё pёrqindjen e aksioneve duke kontrolluar 44 për qind tё tyre”. “Presidenti Laze ёshtё investitori kryesor i klubit dhe futbollit elbasanas. Kontributi i tij ndёr vite ka qenё maksimal. Nё sajё tё kontributit tё Arben Lazes dhe ortakёve, por sidomos tё tijin, Elbasani u shpall kampion dhe nёnkampion i Shqipёrisё, kurse në vijimësi, ka pasur dhe ka rezultate shumё tё mira”, - deklaroi Sejdini, duke theksuar më tej se “Arben Laze, ёshtё kontribuuesi kryesor nё historinё e futbollit nё Elbasan”. Kryebashkiaku detajoi më tej edhe se ekipi i futbollit tё Elbasanit ёshtё shoqёri aksionere me tre aksionerё qё janё Arben Laze, Gentian Çёrraga 23 për qind dhe bashkia e qytetit 33 për qind. Sejdini, nga ana tjetër, është përpjekur të sigurojë të gjithë ekipin dhe pjesëtarët e tjerë të klubit se pagesat e tyre janë të garantuara, sikundër dhe financat e “Elbasanit”, që theksoi se janë “të shëndosha”.

26 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›