E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetime për thirrjet anti-Bollano në Gjirokastër



GJIROKASTËR - Policia e Gjirokastrës është duke hetuar rreth thirrjeve anti-Bollano të shpërndara tri ditë më parë në qytet. Qëllimi kryesor është shqyrtimi i saj, nëse kjo çështje përbën ose jo një vepër penale. “Pas dhënies së njoftimit në media, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka ngritur një grup pune me specialistë të Sektorit të Krimeve të Rënda, të cilët do të hetojnë për këtë ngjarje. Nëse përbën një vepër penale, do të punohet edhe për gjetjen e autorëve të këtyre thirrjeve”, - ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë, Gentian Mullai. Ndërkaq, mëngjesin e së mërkurës nuk është gjetur asnjë prej dhjetëra thirrjeve të ngjitura kudo nëpër rrugë dhe sheshet publike të qytetit, pasi dyshohet se ato janë hequr përgjatë orëve të natës. Tri ditë më parë në të gjithë qytetin ishin shpërndarë thirrjet pa autor, të cilat kërkojnë sensibilizimin e shqiptarëve për të dalë në mbrojtje të identitetit të tyre. Me një gjuhë të ashpër nacionaliste, autorët anonimë të thirrjes kërkojnë që të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen të ngrihen për të mbrojtur atë që e kanë cilësuar “troje të mbrojtura me gjak e me shpirt”. Në fund të thirrjes kërkohen madje edhe firmat në mënyrë që të shkarkohet kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i emërtuar në këtë thirrje si vrasësi i Himarës dhe i gjithë shqiptarisë.

26 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›