Pala shqiptare kërkon nga Policia greke shtimin e sporteleve në kufi
Autoritetet shqiptare të Policisë Kufitare u kanë kërkuar homologëve grekë që të shtojnë sportelet për të lehtësuar lëvizjen e emigrantëve. Kjo kërkesë është motivuar nga situata e rënduar në Kakavijë dhe Kapshticë, ku me mijëra shqiptarë kanë qëndruar për disa orë në radhë në mes të ftohtit. Burimet zyrtare në pikat e kalimit kufitar në Kakavijë bëjnë të ditur se pala greke ka shtuar edhe katër sportele shërbimi. Thuajse e njëjta situatë ka qenë edhe në Kapshticë. Ndërsa në portet e Durrësit dhe të Vlorës, këtë vit, në ndryshim nga herët e tjera, ka pasur lehtësira dhe shërbim më të shpejtë për personat që kanë hyrë në territorin shqiptar.
Radhët
Radhë të gjata në Pikën e Kalimit Kufitar me Greqinë, në Kakavijë. Gjatë 24 orëve të fundit kjo pikë ka shënuar numrin më të lartë të emigrantëve, të cilët kthehen pranë familjeve të tyre me rastin e festave të fundvitit. Burime nga policia bënë të ditur se vetëm në harkun e 24 orëve të fundit në tokën shqiptare kanë hyrë mbi 15 mijë qytetarë dhe 4 mijë automjete. Fluksi më i madh i emigrantëve është shënuar gjatë orëve të mëngjesit të ditës së mërkurë dhe të enjte, ku radha e automjeteve në tokën greke arrinte deri në tre kilometra. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe për shkak të kalimit të linjave të autobusëve Greqi-Shqipëri. Pikërisht për këtë arsye, menjëherë, përfaqësues të doganës kanë zhvilluar një sërë takimesh me homologët e tyre grekë, çka ka sjellë edhe rritjen e numrit të sporteleve nga kjo doganë nga 2 në 6. Numri i emigrantëve që kthehen në Shqipëri pritet të rritet në ditët në vijim.
Portet
Në ndryshim nga vitet e tjera, kësaj radhe në portet shqiptare ka qenë më e lehtë për të kaluar për shkak të përmirësimit të shërbimeve nga autoritetet policore kufitare.
Dita e Krishtlindjeve shënoi fluksin më të lartë të emigrantëve shqiptarë në Portin e Vlorës, që kthehen nga Italia për të kaluar Vitin e Ri në vendin e tyre. Burime zyrtare të kapitenerisë së Portit të Vlorës, bënë të ditur se vetëm dje në këtë port kanë mbërritur 1451 udhëtarë si dhe rreth 400 autovetura, me dy tragetet që përshkojnë linjën detare Brindisi-Vlorë e anasjelltas. Sipas burimeve, pavarësisht fluksit të pazakontë, drejtuesit e strukturave portuale, kanë marrë masat e nevojshme, për të realizuar përpunimin në kohë të trageteve dhe për të parandaluar mbingarkesat në mjediset portuale. Për këtë qëllim, janë vënë në funksion 10 sportele, për verifikimin e dokumenteve, nga të cilat, 4 për autoveturat. Paralelisht, janë aplikuar procedura të thjeshtuara kontrolli e verifikimi, për mjetet dhe udhëtarët. Agjencitë e udhëtarëve, që operojnë në Portin e Vlorës, konfirmojnë se numri i emigrantëve që pritet të kthehen për të kaluar festat e fundvitit në vendlindje të jetë të paktën 15 për qind më i lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm gjatë 4 ditëve të fundit, në Portin e Vlorës kanë hyrë më shumë se 4000 emigrantë dhe rreth 1500 autovetura.
Ndërsa në Portin e Durrësit, gjatë 24 orëve të fundit kanë mbërritur 14 tragete, të cilët kanë sjellë 11 409 udhëtarë, shumica bashkatdhetarë, që kanë vendosur të festojnë ndërrimin e viteve pranë familjeve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Nga Drejtoria Portuale e Durrësit bëhet e ditur se ditët e fundit numri i udhëtarëve që vijnë me tragete është rritur dhe që nga mëngjesi i ditës së mërkurë në 20 sportelet e kontrollit kufitar janë regjistruar në hyrje 8581 udhëtarë shqiptarë me 1937 autovetura dhe 2828 të huaj me 451 autovetura gjithsej. Dy ditë më parë në Portin e Durrësit kanë mbërritur nga Bari, Ankona dhe Triestja 9 tragete gjithsej, ndërsa mëngjesin e së enjtes janë përpunuar tre tragete, që ishin nisur mbrëmjen e së mërkurës nga Bari.
Prej disa vitesh lëvizja e emigrantëve nëpër pikat e kalimit kufitar gjatë periudhës së fundvitit ka qenë problematike për shkak të cilësisë së ulët të shërbimit dhe numrit të reduktuar të sporteleve. Tashmë, disa pika janë modernizuar, por sërish
26 Dhjetor 2008