Gjendet në kazanin e plehrave foshnja e pajetë
DURRËS – Rikthehen skandalet me foshnje të braktisura në qytetin e Durrësit. Disa fëmijë, teksa luanin, kanë gjetur në një kazan plehrash trupin e pajetë të një bebeje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se është gjetur dje në mëngjes në zonën e Porto Romanos një foshnje e vdekur. Sipas të njëjtit burim, disa fëmijë po bënin punën e përditshme të kërkimit mes mbeturinave dhe duke rrëmuar janë shtangur kur kanë ndeshur në një trup bebeje, por që sipas tyre nuk merrte frymë.
Të alarmuar kanë njoftuar policinë, e cila është nisur për në Porto Romano. Nga të dhënat paraprake dyshohet se bebja (i seksit femër), mund të jetë abortuar dhe mund të ketë qenë fryt i një lidhjeje jashtëmartesore. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe po merret me zbardhjen e këtij rasti. Ekspertët kanë shkuar në Spitalin Gjinekologjik të Durrësit dhe kanë verifikuar të gjitha kartelat e pacientëve.
Ky është rasti i dytë që në këtë vend gjendet një foshnjë e pajetë. Rasti i parë i takon shtatorit të vitit 2005, kur një fëmijë ishte hedhur në plehra, pasi ishte braktisur nga nëna pas lindjes.
26 Dhjetor 2008