E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimi i Sallakut, zbardhen bisedat me biznesmenin për 300 mijë lekë ryshfet

SHKRUAN: Leonard Bakillari 17-08-2011 12:42

Tiranë Arrestimi i drejtorit të stadiumit “Qemal Stafa” nën akuzën e korrupsionit ka nxjerrë në dritë të tjera detaje që implikojnë Gazmend Sallakun në aferën korruptive me ambientet përreth qendrave sportive, të administruara prej tij. Ka qenë denoncimi i një biznesmeni që ka investuar në një ambient, për të cilin kishte marrë garanci se do e administronte, ai që ka çuar nga pranga 41-vjeçarin. Biznesmeni, emri i të cilit nuk bëhet publik, ka treguar në polici për një marrëveshje verbale mes tij dhe drejtorit të stadiumit Gazmend Sallaku, për marrjen me qira të një dyqani pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi” me sipërfaqe 80m2. Madje, në marrëveshjen fillestare, para nënshkrimit të kontratës, dy personat kishin rënë dakord që në këtë ambient, qiramarrësi do të kryente disa investime për rregullimin e dyqanit, ku do të ofronte shërbime kancelerie. Në kallëzimin e bërë në policinë e kryeqytetit, biznesmeni tregoi se për rreth një muaj, ai ka investuar në ambientet e dyqanit shumën prej 20 milionë lekë të vjetra, duke kryer të gjitha rregullimet e nevojshme. Në pritje të kthimit të drejtorit Sallaku nga pushimet, biznesmeni i ka dhënë dorën e fundit ambientit që do të merrte me qira. Por sapo drejtori është kthyer, gjithçka ka ndryshuar menjëherë, pasi biznesmeni tregon se është përballur me presionin e tij për prishjen e investimit si punime dhe ndërtime të paligjshme. Ai ka rrëfyer në polici se në takimin e radhës, drejtori Sallaku i ka thënë se nuk ishte në dijeni të këtyre investimeve, të cilat nuk duheshin kryer, pasi mes tyre nuk kishte një kontratë të shkruar. Madje, ka thënë se do të sillte policinë ndërtimore për prishjen e investimeve të kryera, pasi ato janë të paligjshme. Kjo bisedë, sipas kallëzuesit, ka qenë në kundërshtim me marrëveshjen verbale që kishin bërë më parë, duke ndryshuar kështu rrjedhën e marrëdhënieve mes tyre. Sipas burimeve mësohet se pas këtij presioni, Gazmend Sallaku i ka kërkuar biznesmenit në fjalë shumën e 300 mijë lekëve, madje duke marrë për shembull edhe një kioskë që ndodhej pranë Pallatit të Sportit. Kallëzuesi ka deklaruar se drejtori i ka treguar një kioskë, duke i thënë se pronari i saj ka paguar 800 mijë lekë të reja për ta administruar atë kundrejt një qiraje mujore. I ndodhur përballë një presioni të tillë, biznesmeni është drejtuar në polici, ku ka denoncuar presionin dhe aferë korruptive të drejtorit të stadiumit “Qemal Stafa”. Gjatë disa ditëve, biznesmeni ka negociuar me drejtorin e stadiumit për uljen e shumës së ryshfetit, derisa Sallaku ka pranuar të marrë gjysmën e parave të kërkuara në fillim, pra 150 mijë lekë të reja. “Marrëveshja” është realizuar pasditen e 15 gushtit, kur drejtori Gazmend Sallaku ka nënshkruar kontratën 1-vjeçare, e cila përcaktonte se qiramarrësi do të paguante për llogari të “shoqërisë Anonime të Qendrës Sportive” shumën prej 40 mijë lekë në muaj. Pas nënshkrimit të kontratës, sipas policisë, Sallaku ka marrë shumën prej 150 mijë lekëve, por menjëherë kanë ndërhyrë oficerët e drejtorisë Kundër Krimit Financiar, të cilët kryen arrestimin e tij në flagrancë.

150 Mijë lekë të reja akuzohet se ka përfituar Gazmend Sallaku nga dhënia me qira e një ambienti 80m2 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Pasi ka kërkuar paratë, Sallaku ka kërcënuar me prishjen e kontratës

Sallaku refuzon dëshminë pa avokat

Pas shoqërimit në ambientet e policisë, oficerët që po hetojnë rastin kanë tentuar të marrin deklarimet e personit të ndaluar, i cili nuk ka pranuar të dëshmojë pa praninë e një avokati. Sipas prokurorisë, Gazmend Sallaku ka refuzuar të flasë në orët e para të ndalimit, duke mos dhënë asnjë koment pa praninë e avokatit. Megjithatë, burime të policisë dhe prokurorisë pohojnë se kanë dokumentuar rastin e mësipërm të korrupsionit, pasi Sallakut i janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale paratë e ryshfetit dhe marrëveshja e qirasë, e firmosur vetëm pas pagesës nën dorë të 150 mijë lekëve të reja. Ai akuzohet për konsumimin e veprës penale të “korrupsionit pasiv” të personave që ushtrojnë funksione publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›