E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet 15-vjeçari,superhajdut në qytet

PRRENJAS Ishte dënuar nga Gjykata në arrest shtëpie për vjedhje, “arratiset” dhe kryen vjedhje përsëri një 15-vjeçar nga Përrenjasi. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë. Policia ka arrestuar N. Spaho15 vjeç, lindur e banues në këtë qytet, pasi, ndërsa ishte në masën e arrestit në shtëpi për akuzën e vjedhjes së një banese në Përrenjas, ku ka marrë nga aty bizhuteri floriri me një vlerë të konsiderueshme, është larguar dhe ka kryer sërish një vjedhje garazhi. Nisur nga kjo ngjarje, Gjykata është detyruar të rishikojë vendimin e saj të mëparshëm. Kështu Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka vendosur për 15-vjecarin “Arrest në burg”, pasi akuzohet për veprat penale “Vjedhje si dhe largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Adoleshenti ishte kthyer në makth për banorët e qytetit dhe dyshohet se ka kryer edhe vjedhje në qytete të tjera e zonën përreth.

Ndërkohë një tjetër vjedhje është regjistruar këtë herë në Elbasan. Burime të policisë bëjnë të ditur se u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Nezir Mustafai, 29 vjeç, banues në lagjen “Beqir Dardha”, Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas në lagjen “Syrja Dylgjeri” Elbasan u kap në flagrancë nga shërbimet e policisë duke vjedhur disa orendi shtëpiake në banesën e shtetasit A. Kuniqi, 27 vjeç. 29-vjeçari do të përballet me akuzën për vjedhje. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›