E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimi i Selmanllarit, Bogdani: PS-ja shpif për qëllime politike

Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka reaguar dje pas publikimit në një të përditshme se shoferi i ambasadës shqiptare në Romë, i arrestuar për trafik droge, kishte lidhje me familjen e Kryeministrit. Bogdani tha se ky është një trillim i dalë nga zyrat e PS-së me qëllimin e vetëm, shpifjen për qëllime të pastra politike. Zëdhënësi i PD-së shtoi se “asnjë familjar apo i afërt i Kryeministrit nuk ka sugjeruar apo propozuar ndonjëherë këtë person apo persona të tjerë për punësim nëpër ambasada”. “Sot, në fletushkën e tij personale një tender-lëpirës dhe gjobë-vënës i njohur si ushtari i mirë i Ruçit, boton trillimin e radhës sipas të cilit shoferi i kapur nga autoritetet italiane me drogë, qenka sugjeruar nga familjarë të Berishës. Asnjë familjar apo i afërt i Kryeministrit nuk ka sugjeruar apo propozuar ndonjëherë këtë person apo persona të tjerë për punësim nëpër ambasada. Me trillimet dhe mashtrimet e tij të përditshme, ai vetëm vjell mbi vete vrerin se me këtë qeveri nuk pret dot më gjoba dhe nuk fiton tendera me shpifjet dhe trillimet që boton në fletushkën e tij”, - tha në deklaratën e tij Gerti Bogdani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›