E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rusia shpif për shitjen e armëve Gjeorgjisë

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, fajëson Rusinë për shpifjen e shitjes së armëve nga Shqipëria drejt Gjeorgjisë. Njëherësh, Berisha i kujtoi Moskës qëndrimet dashakeqëse ndaj anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndaj dhe shefi i qeverisë shqiptare hodhi dje poshtë akuzat e gjeneralit rus për shitje armësh duke pohuar se Gjeorgjia ka armët dhe ushtrinë e vet. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp me homologun e Islandës, Berisha theksoi në mënyrë të prerë se gjithçka ka qenë një shpikje. Kryeministri Sali Berisha i cilësoi si invencion deklarimet se Gjeorgjia ka nevojë për armët e Shqipërisë edhe pse pësoi një agresion. Duke e konsideruar Gjeorgjinë një vend mik, Berisha vuri në dukje se do të ketë gjithë mbështetjen që meriton një vend demokratik. "Gjeorgjia është një vend mik, demokratik, i cili do të ketë të gjithë mbështetjen që meriton një vend demokratik dhe mik në situatë të vështirë. Të mendosh se Gjeorgjia paska nevojë për armë të Shqipërisë është një invencion”, - tha z.Berisha. Ai shtoi se Gjeorgjia është një vend që ka pasur armët e veta, ushtrinë e vet dhe që pësoi një agresion. “Akuza të tilla, - pohoi Berisha, - s’më çudisin aspak. Ka një qëllim konstant ndaj shqiptarëve, por qëllimi i Rusisë për vendet e vogla për mendimin tim, është jashtëzakonisht i dënueshëm. Një ditë sulmon një vend, ditën tjetër bën deklarata kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO etj”, - u shpreh Berisha. Dy ditë më parë gazeta italiane "La Republica" publikoi një shkrim ku Anatoli Nogovitsyne, kreu i forcave të armatosura ruse, akuzoi Shqipërinë dhe vende të tjera se ka furnizuar me armë Gjeorgjinë. Sipas “La Repubblica”-s, roli i Shqipërisë në tregtinë e armëve, jo vetëm me anë të rrugëve, është zbuluar pas tragjedisë së Gërdecit, depozitës së armëve në afërsi të kryeqytetit, Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›