E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e arsimit, planifikohet mbyllja e disa shkollave fshati

Zbatimi i strategjisë së arsimit parauniversitar duket se ka prekur edhe riorganizimin e shkollave në mbarë vendin. Burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bënë dje të ditur për “standard” se është duke u shqyrtuar projekti për mbylljen e disa shkollave në fshatra të vendit, ku numri i nxënësve është mjaft i ulët dhe gjetja e mënyrës së kompensimit të shpenzimeve që sjell kalimi i këtyre nxënësve në shkolla të tjera, qoftë në fshatrat përreth apo në qytetin më të afërt.

Projekti

Projekti në fjalë parashikon që shkollat fillore dhe nëntëvjeçare që kanë më pak se 20 nxënës të mbyllen dhe nxënësit e tyre së bashku me mësuesit të zhvendosen në fshatin më të afërt që ka një shkollë të tillë ose në qytetin më të afërt. Ndërkohë që për shkollat e mesme, të cilat përgjithësisht janë të pakta dhe me numër të madh nxënësish, nuk është parashikuar ende asgjë, sipas burimeve nga ministria.

Ky projekt ishte deklaruar edhe më parë nga drejtues të lartë të ministrisë, por në formën e një ideje, të pakonkretizuar. Ndërkohë që mësohet se tashmë po shqyrtohet me të gjithë aktorët kjo mundësi. Strategjia do të mund të realizohet në rast se kostoja që bie mbi nxënësit që do të duhet të zhvendosen mbulohet në një formë ose në një tjetër nga vetë ministria.

Vështirësitë

Vështirësitë e hasura kanë të bëjnë me lëvizjen e nxënësve. Deri tani, sipas burimeve nga Ministria e Arsimit, ekzistojnë dy projekte për të zgjidhur këtë problem. Projekti i parë ka të bëjë me subvencionimin nga ana e ministrisë të udhëtimit të nxënësve, ose në formën e pagesës, ose në formën e transportit falas me anë të autobusëve të posaçëm që do të vendosen për ta.

Ndërkohë që projekti i dytë parashikon ndërtimin e konvikteve të reja në qytete. Kjo do të mund të realizohet, sipas burimeve, vetëm në rastet kur janë disa shkolla të mbyllura në një zonë dhe shkolla është zhvendosur në qytetin më të afërt.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›