E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, Harde: Islanda, ratifikim “Shqipëria në NATO”

Kryeministri islandez z. Harde siguroi dje Presidentin Bamir Topi se Parlamenti i Islandës do të ratifikojë Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO brenda këtij viti. Gjatë takimit dypalësh, z.Topi shprehu interesimin e shtetit shqiptar për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike, më konkretisht në atë energjitike, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Në këtë takim, kreu i shtetit, duke vënë në dukje përpjekjet serioze të vendit tonë për përballimin e sfidës së anëtarësimit në NATO, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që Islanda i ka dhënë Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Duke folur për zhvillimet më të fundit në rajonin tonë, Presidenti Topi i shprehu Kryeministrit Harde mirënjohjen për vendimin e qeverisë islandeze për njohjen e menjëhershme të shtetit të ri të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›