Arrestimi i anëtarit të “Bandës së Durrësit”, Prokuroria: Dosja në gjyq
TIRANE - Të akuzuarin më të fundit si anëtar i "Bandës së Durrësit", Bujar Gashi, i cili u arrestua katër ditë më parë në Itali, e pret gjykimi në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë me akuzat e vrasjes, armëmbajtjes pa leje dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, e cila ka hetuar dosjen, thanë se procedimi penal ndaj Bujar Gashit, i dyshuar si anëtar i "Bandës së Durrësit", do të dërgohet së shpejti për gjykim. "Hetimet paraprake dhe procedurat e nevojshme për faktimin e akuzave kanë përfunduar. Pas arrestimit në Itali të personit të kërkuar, dosja penale ndaj tij do të dërgohet për gjykim. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda pritet të thirren për të dëshmuar dhjetëra dëshmitarë, ndërsa Prokuroria do të paraqesë provat e mbledhura prej saj", thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, Bujar Gashi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar si anëtar i "Bandës së Durrësit". Ai ra në pranga katër ditë më parë në qytetin e Trentos në Itali, pas shkëmbimit të informacioneve nga Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën. Sipas të dhënave zyrtare, Bujar Gashi, 36 vjeç, lindur e banues në Durrës, u arrestua pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Më 21 korrik 2008, kjo gjykatë ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit "arrest me burg" për veprën penale të "vrasjes në bashkëpunim", "mbajtjes pa leje të armëve luftarake" dhe "krijimit të organizatës kriminale", thanë më tej burimet. Sipas tyre, në datën 9 korrik 2000, rreth orës 22:00, në fshatin Shënavlash të rrethit të Durrësit është vrarë me armë zjarri brenda në makinën e tij, shtetasi Dritan Disha, i cili po kthehej në banesë. "Të dyshuar për kryerjen e kësaj vrasje janë Indrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai dhe Bujar Gashi, të gjithë anëtarë të dy fraksioneve të 'Bandës së Durrësit'", sqaruan burimet e akuzës.