Topalli: Kodi Zgjedhor miratohet brenda tetorit
ADI SHKEMBI
Kodi i ri Zgjedhor do të miratohet në Parlament brenda muajit tetor. Këtë e bëri të ditur dje Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila theksoi se deri në fund të muajit të ardhshëm drafti do të marrë OK-in e deputetëve, në mënyrë që të nisë përgatitja për zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen vitin tjetër. "Jam e bindur, se maksimalisht brenda muajit tetor, Kodi i ri Elektoral, një sfidë tjetër e Parlamentit dhe një reformë tjetër e domosdoshme, do të mbyllet me sukses", theksoi dje Topalli gjatë një konference për shtyp. Deklarata e kreut të Kuvendit vjen vetëm një ditë pasi në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore u miratua një kapitull shumë i rëndësishëm, që ka të bëjë me paraqitjen e forcave politike në zgjedhjet e ardhshme. Nga ana tjetër, shtyrja sërish e afatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore nuk përbën problem për socialistët. Kryetari i selisë rozë, Edi Rama, theksoi dje në një dalje para mediave se më shumë se sa afati, rëndësi ka produkti përfundimtar. "Unë nuk jam shumë i shqetësuar për datat që lëvizin, për shkak të punës së ekspertëve. Unë jam i shqetësuar për rezultatin dhe cilësinë e produktit që do t'i jepet për miratim Kuvendit të Shqipërisë, pasi të kalojë në të gjitha hallkat institucionale të këtij procesi. Ne po punojmë intensivisht, përmes ekspertëve tanë, për të bërë të mundur që kjo cilësi të jetë ajo e dëshiruar. Të shpresojmë që nga ana e forcave qeveritare, nuk do të ketë arsye dhe vullnet që do t'i kundërvihen cilësisë së këtij produkti", u shpreh Rama. Sipas tij, maxhoranca duhet të demonstrojë gatishmëri dhe qartësi, në mënyrë që, sipas tij, të zhvillohet një proces i rregullt dhe çdo votë të numërohet në mënyrë të barabartë. Por shtyrja e afatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore është denoncuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim si e qëllimshme dhe papërgjegjshmëri politike. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto, tha dje se me shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës po veprohet njësoj si me ndryshimet kushtetuese. "Qëllimi i një strategjie të tillë është që PS e PD të marrin vendimet për çështjet më të rëndësishme e më të diskutueshme të Kodit, nën presionin e kohës, pra një vendimmarrje blic, në mungesë transparence dhe pa procesin normal të gjithëpërfshirjes dhe diskutimit parlamentar, me qëllim që të përfitojnë padrejtësisht në dëm të partive të tjera dhe në dëm të vetë demokracisë në vend", u shpreh Haxhinasto. Sipas kreut të PDS-së, Paskal Milo, Reforma Zgjedhore mund të shërbejë për bashkimin e së majtës. "Ka një shans që nuk duhet humbur dhe që mund të shërbejë si katalizator për të afruar e bashkuar të majtën: ky është Kodi Zgjedhor ende i pakryer, pranimi dhe legjitimimi i kërkesës për korrektim kombëtar proporcional në zgjedhjet e ardhshme", theksoi Milo.
Mandati i komisionit deri në 30 shtator
Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore përfundon mandatin në 30 shtator, ndërkohë që paraprakisht nga të gjitha palët është rënë dakord për shtyrjen e tij të paktën edhe një muaj. Deri tani sipas bashkëkryetarit të komisionit të reformës zgjedhore, Fatmir Xhafaj, janë miratuar rreth 70 nene, ndërkohë që për përfundimin e kodit është sërish e nevojshme zgjatja e mandatit.
Koalicionet e përbëra në 2009
Në mbledhjen e dy ditëve më parë, Komisioni për Reformën Zzgjedhore ka miratuar me unanimitet çështjen e koalicioneve të përbëra dhe mënyrën e përfaqësimit të grave në Parlament, duke realizuar kuotën prej 30%, sipas ligjit "Për barazi gjinore". Koalicionet e përbëra janë një formë e regjistrimit të subjekteve zgjedhore për të konkurruar në garën elektorale.