Majko: PS e ndarë nga LSI në zgjedhje,do shkaktonte frikë te votuesit
Aristir Lumezi
Anëtari i kryesisë socialiste, Pandeli Majko, flet për domosdoshmërinë e bashkimit të opozitës shqiptare para zgjedh-jeve të 2009, pasi në të kundërtën kjo gjendje do të krijonte probleme tek votuesit. Duke komentuar tragjedinë e Gërdecit dhe qëndrimin e socialistëve ndaj saj, Majko shprehet se reagimi i PS-së ndaj tragjedisë, solli një përshtjellim të përkohshëm në popull i cili çdo ditë e më shumë po kuptohet si përpjekje për të lënë drejtësinë të punojë pa presionin e politikës. Majko sqaron pozicionin e PS edhe ndaj kërkesës së vazhdueshme të LSI-së për një imponim të dorëheqjes së kryeministrit Berisha.
Zoti Majko, vdekja e Kosta Trebickës çoi në një iniciativë nga ana e PS-së për të bashkuar sërish të majtët opozitarë në një tryezë e më pas në një protestë kundër mungesës së sigurisë dhe drejtësisë në vend. Mendoni se një reagim i tillë, qoftë dhe paqësor ishte i vonuar, pasi pas tragjedisë së Gërdecit kanë munguar veprimet opozitare në këtë kah?
Nuk do isha dakord me opinionin që shprehët në pyetjen tuaj. Mendoj se qëndrimi i PS-së është përpjekur të shkojë drejt racionales, pra jo një përsëritje e metodave të opozitës së dikurshme të drejtuar nga zoti Berisha, të cilën ne jemi mësuar ta shohim duke sulmuar institucionet me mënyrat "më të moderuara", ku nuk kanë munguar shishet e benzinës. Në këtë këndvështrim mendoj se ky largim nga një qëndrim i ashpër, mbase krijoi një pështjellim apo vakum në trajtimin e problemit në publik. Dëshiroj të them se ka pasur një qëndrim deri diku të dyzuar, por do të thosha mëse të justifikuar nga ana e PS-së, pasi ngjarja e Gërdecit, përveç anës tragjike të humbjes së njerëzve dhe thellësisë së korrupsionit që ishte gatuar me të, në thelb përbënte dhe një problem për çështjen e marrëdhënies së shtetit shqiptar me të tretët. Nuk e konsideroj të ekzagjeruar të them se historia e Gërdecit mund të rrezikonte dhe seriozisht integrimin apo ftesën e Shqipërisë për në NATO, pasi ishte një ngjarje që ndodhi në momentin më delikat të pozicionit të Shqipërisë përballë procesit më të rëndësishëm për problemet e integrimit të saj në strukturat euroatlantike. Në këtë kontekst, ngado që ta shohësh, pozicionimi i PS-së ishte sa i nevojshëm aq dhe i detyruar, për të qenë gjakftohtë, të qëndrueshëm në pozicionet publike, por dhe pa u hedhur në veprime agresive. Mendoj se keqkuptimi fillestar dalëngadalë u sqarua dhe hap pas hapi dhe me veprimet që ndërmori drejtësia, mbase për herë të parë qëndrimet e Prokurorisë nuk dolën nga goja e politikanëve, por nga goja e Prokurorisë. Në këtë këndvështrim, kjo i dedikohet edhe qëndrimit të PS-së. Ne nuk vrapuam që të luanim rolin e prokurorit apo gardianit të burgut në këtë histori, por në të kundërtën u përpoqën ta menaxhonim brenda sistemit politik, një histori e cila rrezikonte të degradonte gjithë sistemin politik në Shqipëri. Mendoj se hap pas hapi kjo tragjedi do sqarojë shumë enigma që mbeten pezull, por një gjë është e qartë se në një ditë të bukur, jo vetëm publiku, por dhe politika shqiptare u gjend përballë një prej aferave më të mëdha që mund të krahasohet vetëm me ato të ndërtimit të firmave piramidale në Shqipëri. Pra, në këtë pikëpamje ia vlen të vëmë një pikë të fortë mbi "i" kësaj historie, duke thënë se nuk ka pasur një lëshim peri nga ana e opozitës apo PS-së, por ka pasur një qëndrim ndryshe nga ai qëndrim i opozitës së Berishës.
Dy partitë kryesore opozitare, PS-LSI, duke bërë njëkohësisht përgjegjës për këto ngjarje kryeministrin Berisha, ndajnë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të zbardhen ato. PS-ja kërkon përmirësim të ligjeve të drejtësisë, ndërsa LSI-ja kërkon imponim të largimit të Berishës. Cili është mendimi juaj për këto qëndrime?
Mendoj se do të ishte naive që në këtë histori të shihej PS-ja si një parti, që kërkon përmirësim të legjislacionit dhe nuk kërkon largimin e Berishës. Duke lënë mënjanë deklaratat, duhet të kuptojmë se aktualisht politika shqiptare ka një histori që më shumë se politike, është matematike. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se në të gjitha rastet opozita shqiptare nuk i ka 71 vota në Parlament, ka një koalicion të së djathtës, i cili sado me vështirësi i garanton votat për të qëndruar në pushtet. Kështu që mendoj se ekzistenca e matematikës së votës nuk ka të bëjë me pozicionimin e PS-së për të pasur në qeverisjen e vendit Sali Berishën. Për mënyrën se si zhvillohet lufta politike në Kuvend çdokush e ka të qartë se cili është pozicioni i PS-së në Parlament. Do të ishte naive të mendohej se PS-ja në këto momente do të interesohej të kishte një qeverisje me cilësitë e ofruara nga Sali Berisha dhe të vetët. Po aq do ishte e dëmshme të shikohej se si mund të organizohet një imponim për largimin e Berishës. Për momentin, sinqerisht nuk e ndjej të ketë ndonjë formulë, që mund të sjellë një imponim të largimit të Berishës, gjithnjë kam parasysh imponim ku fjala dhunë dhe forcë nuk kanë të bëjnë. Kështu që do isha i hapur për çdo lloj formule apo strategjie, e cila të thelb do të kishte të bënte me vajtjen në zgjedhje pa doktor Berishën. Por në të gjitha këndvështrimet që unë shoh për momentin, është tepër e vështirë për t'i thënë sot PD-së që nuk duhet të qeverisësh me këtë njeri apo duhet të qeverisësh me atë njeri. Mendoj që kjo ka ekzistuar edhe në kohën e qeverisjes së PS-së, nuk ishte PD-ja që vendoste se kush do qeveriste nga ana e PS-së. Debatet e natyrave të tilla më tepër se sa i shërbejnë njëlloj koordinimi të brendshëm të opozitës, kanë krijuar një histori gjysmë krize, që në thelb mund të vijë e dëmshme pas disa muajsh kur të jenë zgjedhjet e përgjithshme.
Përse opozita sot nuk duhet të jetë më aktive deri në radikale, kur të gjithë radhisim përgjegjësitë e qeverisë dhe kryeministrit Berisha për këtë situatë të rëndë që kalon vendi, pasi nga njëra anë flasim për pasoja të rënda në jetën e qytetarit dhe nga ana tjetër i thuhet po këtij qytetari, të presë zgjedhjet e ardhshme për të ndëshkuar përgjegjësit e situatës? A ka garanci opozita të hyjë në zgjedhje me Berishën kryeministër?
Është një gjë tjetër se çfarë mund të duash dhe çfarë ekziston në realitetin politik në vend. Këtu nuk është se zgjedhjet nuk bëhen vetëm për Partinë Socialiste, por bëhen edhe për një koalicion që ti do ta kesh përballë. Në këtë këndvështrim duhen respektuar në një mënyrë apo një tjetër rregullat e lojës, me të cilat funksionon sistemi politik në Shqipëri. Për mua nuk ka sens më asnjë lloj radikalizmi, kur dihet se pas 6 muajsh ne do të hyjmë në fushatën zgjedhore. Ajo që na duhet tani duhet të jenë përgatitjet për zgjedhjet e 2009.
Pas tryezës dhe protestës së fundit u vu re se PS-ja dhe LSI-ja janë larg njëra-tjetrës. Ky përfundim del qoftë duke iu referuar opsioneve krejt të ndryshme gjatë tryezës, por edhe incidenteve të flamujve dhe pankartave gjatë protestës. Në kushtet kur ka dhe mosmarrëveshje të tjerë, që lidhen me Kodin Zgjedhor apo ndryshimet kushtetuese, mendoni se mund të ketë hapësira ku dy partitë të ulen për të korrigjuar ndonjë teprim të bërë?
Është në dorën tonë dhe varet si do paraqitemi ne përballë publikut si politikë e majtë, është në dorën tonë të dalim përballë publikut se jemi shumë herë më tepër se sa probleme vendi ka, apo e kundërta. Nëse do të ishte kjo e fundit, realisht do të ishte tragjike në zgjedhjet e 2009. Mendoj se këto zgjedhje po vijnë si një kërkesë, që nuk ka të bëjë me elementët e parullave apo flamujve, që do tundim në mitingje, por ka të bëjë me një rezultat që ka të bëjë me fatin e të gjithë atyre që pavarësisht nga flamujt që mbajnë në mitingjet e opozitës, do të jenë të interesuar të gjithë bashkë për një qëllim, fitoren e të majtës. Çdo gjë tjetër shkon në kufijtë e absurdes.
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, është shprehu në një intervistë për gazetën "Panorama" se, opozita do të merrte me tepër vota nëse do të hynte në zgjedhje me dy koalicione dhe më pas në bazë të rezultatit të negociohej koalicioni qeverisës. Si e gjykoni ju këtë opsion dhe a do të ishte më oportune që e majta të dilte e bashkuar?
Secili ka mendimin e vet. Unë mendoj që të ndarë ne do krijonim disa probleme përballë njëri-tjetrit, të ndarë ne do krijonim një lloj frike të rëndësishme tek një pjesë e konsiderueshme e votuesve lidhur me të ardhmen e qeverisjes së vendit. Çdo votues do të kishte të drejtë t'i bënte pyetje vetes, se nëse këta politikanë të majtë kanë kaq probleme me njëri-tjetrin duke qenë në opozitë, cila do të ishte e ardhmja ime në qeverisje me këta njerëz? A do të vazhdonin këta të ndërtonin të njëjtat sherre dhe probleme me njëri-tjetrin? A do më garantohej mua 24-orëshi i sigurisë, i cili është më i rëndësishëm se programi i partive, a do garantohej zhvillimi i gjithsecilit? Kjo veçanërisht për ata votues që janë të pavendosur përpara alternativave. Qenia e ndarë e opozitës do krijonte këtë lloj ambiguiteti në radhët e votuesve dhe më shumë se sa do krijonte ndjenjën e frontit, duke pasur dy qendra tek e majta, do krijonte ndjenjën e paqëndrueshmërisë përpara një të majte, që më shumë shfaqet problematike sesa e gatshme për të qeverisur së bashku.
Dje është krijuar partia më e re brenda të majtës, "PS 91" e drejtuar nga deputeti Petro Koçi. Cili është mendimi juaj për rolin që ajo do luajë në të majtë?
Nuk kam ndonjë koment të zgjatur për këtë histori. Është një vendimmarrje, që ka të bëjë me një grup njerëzish, të cilët padyshim i kanë dhënë Partisë Socialiste dhe historisë së saj, por në fund të fundit me vendimmarrjen e tyre kanë vendosur të largohen për të ndërtuar një shtëpi të re. Kur ta shoh shtëpinë e ndërtuar do të jap komentin tim. Deri tani kemi vetëm krijimin e saj dhe nuk kam dëgjuar se çfarë duan të bëjnë, nga do shkojnë dhe pse e kanë krijuar këtë parti.
Edhe pse opozita, por edhe media flasin për dështime të qeverisë në luftën kundër korrupsionit, të krizës së qeverisë në marrëdhëniet me biznesin dhe rritje e ulët ekonomike të vendit, institucione ndërkombëtare prestigjioze, si TIA, Banka Botërore dhe FMN-ja pohojnë të kundërtën. Si i vlerësoni të dhënat e tyre?
Mbase është një problem më vete që debatet e qeverisë me opozitën bëhen mbi bazën e dokumenteve që ndërkombëtarët na "dhurojnë" në tryezat tona të punës, sesa mbi statistikat, të cilat gjenden në zyrat e shtetit shqiptar dhe mbi të cilat realisht mund të bëhet një debat normal. Edhe për këtë fakt mendoj se askush s'mund të fshihet pas gishtit për të thënë se qeveria e Shqipërisë po arrin çatinë e botës. Mendoj se kjo është një përçartje ose dehje për t'i thënë njerëzve shikoni çfarë po ndodh, është një rënie në dashuri me vetveten, që është shumë e rrezikshme qoftë për ata që e bëjnë këtë, qoftë për ata që e besojnë këtë. Mendoj se në një mënyrë të qetë opozitës i takon ta zhvlerësojë dhe ta sjellë me këmbë në tokë jo thjesht për të sharë se çfarë po bën Berisha, por për të orientuar një komunikim me publikun, i cili të grisë këtë lloj perdeje, që në fakt e ka një paralele me të ashtuquajturën suksese që thuheshin në pragun e zgjedhjeve të '96 dhe shpresoj që kjo të mos jetë një përsëritje, por në fund të fundit të jetë si puna e asaj që kur historia përsëritet dhe hera e parë është tragjike, përsëritja të jetë një gjë komike.