E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Takimet e gjeneralëve me Delijorgjin”

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Përgji-thshme pritet të rimarrë në pyetje gjeneralët e ushtrisë të shkarkuar pas tragjedisë së Gërdecit. Ata kanë dhënë edhe më parë deklarime në organin e akuzës, por së fundi, hetuesit duket se kanë rënë në gjurmë të fakteve që vënë në pikëpyetje pozitën e gjeneralëve të Shtabit të Përgjithshëm në raport me tragjedinë e Gërdecit. "Është pohuar nga dëshmitarë të pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen, se ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ka qenë në dijeni se ai që po kryente çmontimin e municioneve në Gërdec, ka qenë Mihal Delijorgji. Nga deklarime të disa personave dhe prova të tjera të grumbulluara, del se ish-shefi i Shtabit, gjeneral Luan Hoxha, ka bërë një vizitë në rajonin e Gërdecit, ku do të kryhej çmontimi, pesë ditë para se aty të fillonte ky proces", thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, dëshmitarët thonë se mes personave të tjerë, që kanë pritur ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm në hyrje të fabrikës dhe e kanë shoqëruar atë gjatë inspektimit, ka qenë edhe biznesmeni Mihal Delijorgji, tashmë i arrestuar me dyshimet se ka përgjegjësi ligjore në shkaktimin e tragjedisë me 26 të vdekur e 300 të plagosur. "Ish-shefi i Shtabit është pritur nga Mihal Delijorgji, i cili pasi e ka shoqëruar gjeneralin gjatë inspektimit në punishten e çmontimit, e ka përcjellë në dalje atë deri tek porta e fabrikës dhe më pas të dy janë larguar me automjete të ndryshme", cituan burimet e Prokurorisë së Përgjithshme thëniet e dëshmitarëve të kësaj çështje.
Dilemat për gjeneralët
Vetëm njëri prej tyre, ish-shefi i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm, Dashnor Çaushi, është marrë në cilësinë e personit në hetim për tragjedinë e Gërdecit. Katër gjeneralët e tjerë, deri më tani janë konsideruar dëshmitarë të rëndësishëm të Gërdecit, edhe pse rreth pozicionit të tyre, Prokuroria duket se ka qenë në dilemë. Ushtarakët ngarkuan me përgjegjësi Ministrinë e Mbrojtjes dhe ndërmarrjen MEICO për atë që ndodhi në Gërdec, duke thënë se atyre nuk u ishte dhënë mundësi të ndërhynin në fabrikë dhe se nuk e kanë ditur çfarë ndodhte realisht aty, madje as cilat ishin palët që punonin me municionet. Mirëpo, Prokuroria deklaron se është duke hetuar takimin e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm me Mihal Delijorgjin, çka tregon se gjenerali, minimalisht ka pasur dijeni për personat që kishin ngritur biznesin fitimprurës të demontimit në Gërdec. Nga ana tjetër, nga pyetja e dëshmitarëve dhe verifikimi i dokumenteve në Ministrinë e Mbrojtjes, Prokuroria e Përgjithshme ka dyshime të bazuara për një takim mes dy gjeneralëve të tjerë me Mihal Delijorgjin. Ai nuk ka qenë në fakt një takim i veçantë mes të treve, por sipas Prokurorisë, ish-komandanti i Forcës së Bashkuar në Shtab, gjeneral Shpëtim Spahiu dhe ish-komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneral Zija Bahja, kanë qenë të pranishëm në një takim, ku bashkimi i firmave "SAC-Albademil" ka bërë prezantimin e strukturës së çmontimit që do përdorej në Gërdec dhe ku, sipas akuzës, ka qenë i pranishëm edhe biznesmeni Mihal Delijorgji.

Ndotja në Gërdec, mbërrin eksperti nga Holanda

TIRANE - Një ekspert i huaj mjedisor ka mbërritur ditët e fundit në Shqipëri, me qëllim për të kryer matje dhe analiza të detajuara për nivelin e ndotjes në Gërdec. Mësohet se lëvizja MJAFT! ka kërkuar leje nga Prokuroria dhe autoritetet ushtarake që po mbajnë në "karantinë" zonën e kraterit të shpërthimit në Gërdec, në mënyrë që specialisti i mbërritur nga Holanda, të ketë mundësi për të parë nga afër terrenin dhe për të marrë mostrat e nevojshme që do të analizohen për të parë nivelin e ndotjes në rajon. Një fakt i tillë shikohet me shpresë nga banorët e Gërdecit, të cilët ende janë të paqartë nëse zona përmban ndotje me rrezik për jetën apo jo. Duket se këtë paqartësi e shkaktoi më tepër edhe "debati" mes përfaqësuesve të qeverisë dhe diplomatëve e specialistëve të huaj. Qeveritarët shqiptarë deklaruan se me përjashtim të kraterit në sipërfaqe 800 metra, pjesa tjetër e zonës nuk përbënte rrezik dhe ishte në kushte normale. Ndërsa specialistët dhe diplomatët e huaj deklaruan se rikthimi i banorëve në zonën ku ndodhen shtëpitë e tyre është i rrezikshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›