Lirohet i riu, i "grabiti" të atit 47 milionë lekë
TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje" për 33-vjeçarin Astrit Tafa, i akuzuar për vjedhje. Sipas përfaqësuesit të Prokurorisë që kishte drejtuar hetimet paraprake, Tafa u prangos pas denoncimit të të atit të tij S. Tafa, për humbjen e 47 milionë lekëve të vjetra, të cilat i kishte fshehur në një grumbull zhavorri në banesë. Sipas Prokurorisë, plaku kishte vënë re se mungonin paratë dhe kishte njoftuar policinë, ndërsa efektivët e Antikrimit të mbërritur në vendngjarje kanë arrestuar djalin e familjes, me profesion shofer, i cili i kishte vjedhur paratë dhe i kishte lënë në bixhoz. Vjedhja, sipas policisë, ishte bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe pa u vënë re nga kryefamiljari. Gjatë marrjes në pyetje ai e ka pranuar akuzën, duke argumentuar se paratë që kishte marrë në banesë i kishte fituar bashkë me të atin dhe për pasojë i takonte edhe atij të shpenzonte një pjesë të tyre. Pas kësaj, prokurori i kërkoi gjykatës vendosjen e masës së sigurisë "arrest shtëpie" për 33-vjeçarin, derisa të sqarohej pozicioni i tij përballë akuzës. Ndërsa i pandehuri, gjatë deklarimeve të dhëna në sallën e gjyqit, paraditen e djeshme mbajti të njëjtin pretendim edhe para gjyqtarit të gatshëm, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm nga qelia. Po kështu mbrojtësi i tij pohoi se i ati e kishte tërhequr denoncimin ndaj të birit, kusht ky i domosdoshëm që Prokuroria të pushonte çështjen penale ndaj të akuzuarit. Pasi dëgjoi pretendimet e të dy palëve dhe administroi provat paraprake, gjykata vendosi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për të riun. fa.ma