Ambasadori gjerman: Zgjedhjet, provë për pjekurinë e politikës
Ambasadori bën thirrje për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Në të kundërt, sipas tij, do të ishte gjë e keqe për Shqipërinë
TIRANË- Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë një test-prove për pjekurinë e politikës shqiptare. Ky është vlerësimi që i bën faktori ndërkombëtar sfidës për të pasur zgjedhje të lira dhe demokratike, si mundësia e vetme për të parë më tej drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Europian.
Ka qenë përfaqësuesi më i lartë gjerman në vendin tonë, ambasadori Bernd Borchardt, ai që ka përcjellë dje, me anë të medieve, një mesazh fare të qartë për klasën tonë politike, se cilësia e zgjedhjeve parlamentare do të kenë shumë më shumë rëndësi për proceset integruese sesa rezultati i tyre për secilën forcë politike.
Për këtë arsye, Borchard ka këshilluar qeverinë të përqendrohet tek zgjedhjet e qershorit, pasi ato janë shumë të rëndësishme për vetë ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
"Këtu në Shqipëri, përgatitja e zgjedhjeve përbën një sfidë shumë të madhe", - tha diplomati gjerman Bernd Borchardt. Në këtë kuadër, ai ka evidentuar problematikën, që ekziston në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, duke i konsideruar ato si të një rëndësie të veçantë për vetë suksesin e këtyre zgjedhjeve.
Nisur nga kjo rëndësi, diplomati gjerman u ka përcjellë edhe një mesazh strukturave përgjegjëse, që të bëjnë të mundur që, brenda qershorit, të gjithë shtetasit shqiptar të kenë të drejtë të votojnë.
"Ne shpresojmë që deri në qershor që do të zhvillohen zgjedhjet, procesi i ndarjes së kartave të identitetit do të funksionojë siç duhet, pasi do të ishte një gjë shumë e keqe për Shqipërinë, por edhe për ne si anëtarë të NATO-s, nëse ky proces nuk shkon siç duhet edhe ka probleme",- tha Borshhard.
Ashtu si dhe përfaqësuesit e tjerë të lartë të Komisionit Europian, Borchard ka gjykuar se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë, nuk duhet të ndërmarrë hapin dhe të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Sipas tij, familja e madhe evropiane, tashmë ka mjaft probleme të saja të brendshme për të zgjidhur dhe, kjo nuk do të favorizonte asnjë kërkesë për statusin e vendit kandidat.