Arrestimi i mjekëve, një kamera u instalua në dhomën e KEMP-it
ELBASAN - Arrestimi i tre mjekëve, dy prej të cilëve pjesëtarë të stafit të qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli”, ka sjellë shqetësim në radhët e pacientëve të shtruar në të. Gjatë një vëzhgimi të bërë ditën e djeshme në ambientet e spitalit të Elbasanit dëgjoje mjaft opinione që kishin të bënin kryesisht me kirurgun Adrian Palloshi dhe mjekun alergolog, Ervedin Pudres. Mëngjesin e djeshëm, në ambientet e kirurgjisë ka pasur nga ata pacientë apo familjarë që kanë trokitur në zyrën e kirurgut Palloshi, por dera ka qëndruar e mbyllur. Familjarët që kanë të shtruar të afërm në spitalin kirurgjik të Elbasanit janë shfaqur të shqetësuar pasi të afërmit e tyre që ishin bërë disa ditë më parë operacion nga ana e mjekut Palloshi kanë pasur nevojë për këshillat e kirurgut, njëkohësisht dhe shef i repartit të kirurgjisë. Në fakt janë më shumë se pesë pacientë të cilët janë operuar nga ana e mjekut Palloshi të cilët ditën e djeshme kanë mbetur të habitur nga mosprania e mjekut kirurg. Një familjar u shpreh se kishte operuar të birin nga apandesiti dhe mjeku Palloshi sipas tij kishte refuzuar t’i merrte ndonjë dhuratë për daljen me sukses. Rreth orës 10:00, stafi i kirurgëve të Elbasanit ka vizituar pacientët e operuar nga ana e mjekut Palloshi. Gjatë ditës së djeshme nuk është ndërmarrë ndonjë veprim nga drejtuesit e spitalit, të cilët pritet të mblidhen të hënën për të zëvendësuar mjekun Palloshi, tashmë të izoluar në paraburgimin e Elbasanit. As në spitalin e Librazhdit, dhjetëra pacientë nuk kanë mundur që të kryejnë vizita të mjeku kardiolog, pasi Astrit Leka, ishte i vetmi specialist. Pas arrestimit të bujshëm të tre mjekëve, burime nga Prokuroria e Elbasanit pohuan se mjekët kishin kohë që mbaheshin në vëzhgim dhe ishin përgjuar me metoda speciale. Gjithashtu mësohet se në ambientet e spitalit të Gramshit, aty dhe ku u arrestuan mjekët ishte instaluar një kamera, filmimet e së cilës do të shërbejnë si prova në Gjykatën e Elbasanit. Ditën e sotme pritet që tre mjekët, Palloshi, Pudre dhe Leka të njohin masën e sigurisë. Të njëjtat burime thonë se arrestimi është bërë nga një grup i forcave speciale, i përbërë nga pesë veta, të cilët kanë qenë me maska dhe automatik në dorë, duke përhapur panik në radhët e pacientëve dhe mjekëve të spitalit të Gramshit. a.k