E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamioni rrëshqet në humnerë, humbin jetën dy persona

 

SHKODER - Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në zonën e Vermoshit mesditën e djeshme. Si rezultat i rrëzimit në humnerë të një kamioni në vendin e quajtur Brigje, 2 persona humbën jetën, ndërsa një tjetër është plagosur. Gazmend Ujka, 34 vjeç nga fshati Brojë i komunës Kelmend dhe Pjerin Smajli, 30 vjeç nga fshati Rapsh kanë mbetur të vdekur, ndërsa është plagosur rëndë Alfred Franga, 22 vjeç, po nga fshati Rapsh i komunës Kastrat. Tre personat kanë qenë duke udhëtuar nga Vermoshi drejt Shkodrës me një kamion me targa të Shkodrës. Në vendin e quajtur “Brigjet e Hotit”, kamioni ka rrëshqitur në njërën nga kthesat e shumta të rrugës, duke përfunduar në një humnerë. Kanë qenë banorët e zonës të cilët kanë dhënë ndihmën e parë, duke u munduar të nxjerrin trupat nga kamioni. Alfred Franga ka mundur të dalë nga mjeti, ndërsa makina po binte në greminë. Burime policore nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se mjeti drejtohej nga Gazmend Ujka, i cili ka humbur kontrollin si pasojë e motit të keq dhe rrugës së rrëshqitshme nga reshjet e shiut.               r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›