Arrestohet “njeriu i natës”, grabiti 4 banesa
TIRANE- Efektivat e Komisariatit nr.1 të Tiranës, gjatë operacionit të koduar “Njeriu i natës”, kanë bërë të mundur arrestimin e një 20-vjeçari, i cili ishte i shpallur në kërkim nga Policia e Kavajës për vjedhje. Burime nga policia thanë se i arrestuari është Eugen Arapi, që përveçse ishte i shpallur në kërkim nga Kavaja, dyshohet se ka kryer disa vjedhje banesash edhe në Tiranë, vjedhje të cilat i realizonte gjatë orëve të vona të natës. Policia ka dokumentuar 4 raste vjedhjesh banesash, të kryera të gjitha në rrugën “Budi” në kryeqytet dhe që dyshohen të jenë realizuar nga 20-vjeçari Arapi. Sipas policisë ai dyshohet të jetë autor i vjedhjes së një kompjuteri lap-top, në një banesë në kryeqytet. Gjithashtu ai dyshohet se në gusht të këtij viti ka realizuar vjedhjen e një banesë tjetër po në Tiranë, ku ka arritur të marrë 90 mijë lekë, një telefon celular dhe disa bizhuteri. Më pas në muajin tetor Eugen Arapi dyshohet se ka realizuar vjedhjen edhe të dy banesave të tjera në rrugën “Budi” në kryeqytet. Sipas policisë njërën vjedhje e ka kryer më 15 tetor të këtij viti dhe tjetër më 27 tetor. Në cilësinë e provës materiale efektivat e Komisariatit nr.1 kanë sekuestruar një kompjuter lap-top, si dhe disa sende të tjera, të cilat dyshohet se ai i ka vjedhur nëpër banesat e personave të ndryshëm.