Tuneli, shembet galeria e dytë
Shembet një pjesë e galerisë së dytë në tunelin e Kalimashit. Një sipërfaqe e madhe dheu e inerte është rrëzuar pasditen e së enjtes, duke rrezikuar punëtorët brenda thellësisë së tunelit. Ka qenë fat që nuk ka pasur të lënduar, pasi dhjetëra specialistë, shqiptarë e të huaj ndodheshin në frontin e punës. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 16:00 të së enjtes. Askush nga firma ndërtuese e as nga policia nuk e ka bërë të njohur këtë fakt, por tronditja e fortë që shkaktoi në të gjithë zonën shembja e dheut e më pas punëtorët konfirmuan atë që kishte ngjarë. Sipas burimeve nga ky tunel, mësohet se shembja është gati në mesin e galerisë, rreth 2 km nga hyrja në Thirrë, me një sasi prej afro 50 metër linear. Sapo ka ndodhur shembja menjëherë janë tërhequr të gjithë punonjësit nga galeria për t’u ruajtur nga ndonjë shpërthim i mundshëm i gazrave apo ujit. Banorë të fshatrave përreth kanë treguar se tronditja ka qenë e ngjashme me atë të një tërmeti. Specialistët kanë bërë vlerësimin dhe shkaqet e shembjes, prej nga rezulton se në këtë pjesë ka masive dherash dhe balte, madje mund të jetë një degëzim uji i paparashikuar në këtë sektor, çka ka sjellë probleme në ecurinë e punimeve. Edhe gjatë ditës së djeshme të dy portat e galerisë kanë qenë të mbyllura. Në to janë futur vetëm specialistë me shumë përvojë, por puna nuk ka nisur në pritje të vlerësimit të situatës. Galeria ende e pavënë në punë ka sjellë më shumë probleme teknike dhe gjeologjike sesa galeria që funksionoi deri para një muaji. Burime zyrtare nga firma “Becthel Enka” nuk pranojnë të japin hollësi apo të pohojnë shembjen, por burime të tjera bëjnë të ditur se dhe më parë ka pasur shembje dhe kjo shikohet si normale në punime të tilla. Aktualisht pritet që të kryhet një tjetër proces vlerësimi i gjendjes së pjesës së mbitunelit, me qëllim shmangien e pasojave si ajo e fundit. Bëhet e ditur se mes tunelit dhe malit brenda të cilit po ndërtohet ai është krijuar një sipërfaqe boshe prej 100 metër. Galeria e dytë e tunelit është takuar në mes nga punimet që kryhen në dy anët e tij prej disa muajsh, por ende nuk flitet për përfundimin e saj. Volumi i punës dhe vetë numri i punonjësve në këtë pjesë të tunelit është disa herë më i vogël sesa ai i galerisë që funksionoi e hapur për qarkullim për plot 5 muaj. Burime të brendshme të firmës pohojnë se projekti po vazhdon mbi një pjesë jo shumë të qëndrueshme për të përfunduar këtë investim madhor.
Në dhjetor të vitit të shkuar ndodhi aksidenti më i rëndë gjatë punimeve për hapjen e galerisë së parë të tunelit, kur u plagos rëndë një saldator nga Kukësi, ndërsa u lënduan dhe 3 punëtorë turq.