Vdiq vajza, nis gjyqi ndaj mjekut
TIRANE – Xhevahir Hoxhallari, mjeku i akuzuar për “mjekim të pakujdesshëm” me pasojë vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti tha dje se nuk kishte gabuar askund, por që rasti i të miturës ishte një nga rastet e rralla në mjekësi. Gjykata e Tiranës deklaroi të hapur dje gjykimin për Hoxhallarin, kirurgun e 17-vjeçares Petriti që ndërroi jetë pas një operacioni heqjesh bajamesh. Në seancën e djeshme mjeku Hoxhallari ishte ulur në bankën e të akuzuarve pranë mbrojtësit të tij ligjor. Avokati i Hoxhallarit, pretendoi përpara gjykatës së aktekspertimi i përgatitur nga specialistët e mjekësisë ligjore për vdekjen e të miturës është i pasaktë. Duke pohuar se “përfundimi se vdekja e pacientes ka ardhur nga shoku hemorragjik është e pavërtetë” mbrojtësi i mjekut kërkoi nga gjykata riekspertim. Vetë mjeku Hoxhallari, deklaroi para kryesuesit të seancës, gjyqtarit Artan Broci se “pas familjarëve të saj, unë kam përjetuar dhimbjen më të madhe për humbjen e jetës së Matilda Petritit”. Sipas mjekut, ndaj 17 vjeçares nuk është bërë asnjë mjekim i pakujdesshëm, por vdekja e saj hyn në rastet e rralla që ndodhin në mjekësi. “Ky është rasti i vetëm në Shqipëri që prej fillimit të operacioneve për heqjen e bajameve në vendin tonë”, tha mjeku. Hoxhallari tha në seancë se kishte kontaktuar edhe me emra të njohur të mjekësisë botërore për këtë rast. Sipas tij, edhe për ta rasti konsiderohej si tepër i veçantë. Gjykata pranoi dje thirrjen në proces të 7 dëshmitarëve të akuzës dhe 8 dëshmitarëve të mbrojtjes. Mësohet se dëshmitarët janë familjarë të 17-vjeçares, por edhe mjekë kolegë të Hoxhallarit. Matilda Petriti, nga Maliqi i Korçës ndërroi jetë rreth një vit për shkak të hemorragjisë, pas një operacioni për heqjen e bajameve. Ndërhyrja kirurgjikale u krye nga mjeku Hoxhallari në klinikën e tij private në qytetin e Pogradecit. Pas operacionit 17-vjeçarja pati komplikacione të shoqëruara me hemorragji dhe temperaturë. Edhe pse e mitura u dërgua në spitalin e Korçës e më pas në Tiranë 21 ditë nga dita e operacionit ajo ndërroi jetë. Për ngjarjen prokuroria vuri nën akuzë kirurgun Hoxhallari për “mjekim të pakujdesshëm”. ar.ba