Arrestohen grabitësit e 13 bizneseve
Etleva Delia
Një grup personash që akuzohen se kanë kryer 13 vjedhje biznesesh në Tiranë dhe në Durrës u arrestuan nga policia e Tiranës ditën e djeshme. Pas më shumë se pesë muajsh hetime, policia finalizoi aksionin “Agjencia”, duke vënë në pranga edhe anëtarin e fundit të grupit që kishte mbetur në liri. Tre persona të shpallur në kërkim nga policia e Durrësit, u arrestuan në flagrancë në Tiranë, kur po hiqnin tjegullat e çatisë së një dyqani argjendari në rrugën e Durrësit. Ata po tentonin vjedhjen e këtij biznesi. Menjëherë pas arrestimit të tyre, oficerët e Seksionit Kundër Vjedhjes së Bizneseve të Tiranës, organizuan operacionin e koduar “Agjencia” gjatë të cilit u bë i mundur arrestimi i një 26-vjeçari nga Durrësi. Sipas policisë, i arrestuari është Mario Kapedani, i cili në bashkëpunim edhe me 50-vjeçarin Viktor Tutulani dhe 30-vjeçarin Shefik Hasanaj, tashmë të arrestuar, akuzohen për të paktën 13 vjedhje biznesesh të dokumentuara. Policia tha se të arrestuarit dyshohen për dhjetëra raste të tjera të denoncuara nga biznesmenë të ndryshëm dhe që nuk janë zbardhur ende. Hetuesit kanë zbuluar prova që implikojnë 3 personat e arrestuar në 13 raste vjedhjesh me thyerje të disa argjendarive, agjencive turistike, firmave private dhe disa lokaleve. Tre të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, akuzohen se në kohë dhe vende të ndryshme të Durrësit dhe Tiranës, u kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme pronarëve të disa bizneseve të njohura, duke u vjedhur sende me vlerë dhe shuma të mëdha parash. Policia ka zbuluar se veprimtaria e tyre ka nisur në maj të këtij viti dhe ka vazhduar deri dy ditë më parë, ku u kapën duke tentuar të vidhnin me thyerje një argjendari në Tiranë. Por sipas burimeve nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë realizuar edhe vjedhja të tjera në muajt e mëparshëm, si në kryeqytet ashtu edhe në Durrës. Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar prokurorisë, ndërkohë vazhdojnë hetimet për dokumentimin e rasteve të tjera.
VJEDHJET
1. Argjendari në afërsi të Ministrisë së Mjedisit, Tiranë
2. 17 televizorë në magazinën e firmës së tregtimit të pajisjeve elektroshtëpiake “J&B”
3. 700 kg duralumin në Repartin e Prodhimit të dyerve dhe dritareve në Durrës
4. Firma “Alba Mer”, Xhafzotaj të Durrësit
5. Mbetet në tentativë vjedhja e Agjencisë Shtetërore “Taulantia”, Durrës
6. Agjencia “Stefi”, Durrës
7. Agjencia e biletave “Fertours”, Durrës
8. Agjencia e shitjes së biletave “Alxhega”, Durrës
9. Dyqani i punimeve të metalit, Durrës
10. Agjencia turistike “Gersa”, Durrës
11. Një lokal në Durrës vidhen televizor plazma, 120 euro e 50 mijë leke
12. Një lokal në Durrës vidhen tre televizorë plazma
13. Një lokal në Durrës vidhen tre televizorë