E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien në pranga hajdutët e tetë makinave

 

TIRANE - Policia e kryeqytetit ka vënë dje në pranga hajdutët e makinave “Benz” në kryeqytet, ndërsa disa bashkëpunëtorë të tyre janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim. Shërbimet e Komisariatit Nr.4 kanë nisur një operacion të koduar “Çmontimi”, pas shumë denoncimeve për makina të vjedhura, kryesisht nëpër vendet e parkimit dhe ka bërë të mundur arrestimin e autorëve. Burime nga policia thanë se përveç personave të arrestuar janë sekuestruar edhe pesë automjete, të cilat ata dyshohet se i kanë vjedhur dhe i kishin futur në garazhe. Në pranga për këtë veprimtari të kryer në bashkëpunim, kanë përfunduar 3 adoleshentë me iniciale A.F., K.S., A.A., si dhe 26-vjeçari Gazmir Ngota, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë, 20-vjeçari Sajmir Rexhepi, i dënuar më parë për vjedhje dhe plagosje me dashje dhe 19-vjeçari Liridon Frroku, i dënuar për vjedhje në bashkëpunim. Në bashkëpunim me katër persona të tjerë, që sipas policisë tashmë janë identifikuar dhe pritet arrestimi i tyre, në kohë dhe vende të ndryshme të Tiranës kanë vjedhur të paktën 8 automjete tip “Benz”. Këto raste janë dokumentuar tashmë dhe makinat e pjesë të tyre janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provave materiale dhe po hetohet për zbulimin e rasteve të tjera. Sipas burimeve nga policia të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin realizonin vjedhjet e makinave në Tiranë, por dyshohet edhe në qytete të tjera dhe më pas i transportonin ato në Korçë dhe në Laç në servise të miqve të tyre. Nëpër këto servise ata i çmontonin makinat e vjedhura dhe më pas shisnin pjesët e tyre. Policia aktualisht ka dokumentuar vjedhjen e një benzi me targë TR 3360 A, në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë, vjedhje e realizuar më 13 shtator të këtij viti. Gjithashtu, është zbuluar edhe vjedhja e ndodhur më 18 tetor në afërsi të Stacionit të Trenit, ku është vjedhur makina tip “Benz” me targë KO 4228 A. Po kështu është zbuluar edhe vjedhja e 6 makinave të tjera, po të tipi “Benz”, në rrugë të ndryshme të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›