Kapen katër kg kanabis, pranga dy trafikantëve
Operacioni
Merrnin drogën nga Cakrani dhe e shisnin për studentët në Tiranë
Policia e Kavajës arreston dy persona me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Pikërisht rreth orës 1:30, në autostradën Durrës-Kavajë në fshatin Qerret, ata janë kapur teksa qarkullonin me një mjet në pronësi të tyre. Drejtoria e Policisë së Tiranës deklaroi se në kuadër të operacionit të koduar “Qerreti”, seksioni i antidrogës ka arrestuar Leonard Haskajn, lindur në Fier dhe banues në Tiranë dhe Liridon Hylën, lindur në Pejë dhe banues në Tiranë. Sipas grupit hetimor, gjatë kontrollit të bërë në makinën e tyre, tip “Mercedes Benz”, me targa TR 1636 S, është gjetur një sasi rreth 4 kg lëndë narkotike, që dyshohet se është e llojit kanabis. Lënda narkotike ishte e futur në dy qese dhe ishte vendosur në vendin e gomës rezervë, në bagazhin e makinës, e cila u sekuestrua pas arrestimit. Gjithashtu, gjatë një kontrolli në banesën e Hylës janë sekuestruar rreth 3 gramë kokainë. Veç lëndës narkotike dhe mjetit të tyre, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe 3 telefona celularë, dy pasaporta, kartë identiteti, patentë dhe një shumë prej 118 mijë lekësh. Më tej, burimet nga grupi hetimor shpjeguan se lënda narkotike vinte nga Fieri. Pikërisht në Cakran të Fierit, ku kishte lindur Haskaj, mendohet se është kultivuar edhe kanabisi i kapur gjatë operacionit blic. Ndërkaq, ajo ishte nisur drejt Tiranës, ku do u shitej shpërndarësve, të cilët kanë treg gjimnazistët dhe studentët. Policia tha se po heton edhe më tej për këtë çështje, me qëllim dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal.
#