E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmija shqiptar vdes për një gabim të kompanisë mjekësore

Itali

Historia e një fëmije shqiptar vetëm 12 vjeç, i cili gjeti vdekjen më 9 janar 2010 në mëngjes, ka hapur debat në Itali. Arbri, 12-vjeçar ishte paralizuar krejtësisht prej kohësh ndërsa kishte probleme në rrugët e frymëmarrjes. Mjekët kishin diagnostifikuar se i mituri mund të jetonte vetëm me ndihmën e një pajisje stimuluese frymëmarrjeje, e cila furnizohej nga një bateri elektrike. Pajisja ka pasur një defekt një ditë para vdekjes së fëmijës, ndërsa specialistët e kompanisë që ofron mjetin kishin shkuar në banesë dhe pas një kontrolli kishin thënë se nuk kishte asnjë problem. Ngjarja ka ndodhur në Mantova, ndërsa gazeta lokale e qytetit publikoi artikullin, duke cituar rrëfime të nënës së djalit. Ajo ka thënë se fëmija vdiq pas disa orësh përpjekje pasi pajisja e cila mbante frymëmarrjen e tij doli jashtë funksioni. Sipas ekspertëve, bateria jep garanci të punojë për një periudhë kohe të njohur ndërsa kompania kishte vënë në dispozicion dy të tilla për të ndërruar njëra-tjetrën në kohën kur bëhej karikimi. Fëmija mbahej në jetë nga kjo pajisje e cila e tradhtoi 12-vjeçarin më 9 janar në mëngjes. Prindërit vrapuan të ndërrojnë bateritë, por ishte e kotë, asnjëra nuk funksiononte. Nëna e djalit ka shprehur dyshime të qarta në adresë të kompanisë që ofron shërbimin. Ajo tha se kishte paguar për këtë. Pas defektit një ditë para vdekjes së fëmijës njerëzit e kompanisë kishin zëvendësuar një pjesë të pajisjes, por familja ishte ankuar për defekte të saj. Megjithatë, fëmija është lënë në mëshirë të fatit derisa defekti ndodhi dhe prindërit e tij nuk mundën të bënin asgjë. Bateria kishte dhënë sinjalin e alarmit që në mesnatë duke lajmëruar daljen e saj nga funksioni me zhurmën karakteristike të regjistruar, e cila ishte përsëritur tri herë çdo dhjetë minuta.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›