Arrestimi i sekretarit, Balla: “Ministri Meta të japë dorëheqjen”
Eneida Jaçaj
Deputeti Taulant Balla i ka kërkuar dje ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, të japë dorëheqjen nga ky post. Ai ka marrë shkas nga arrestimi i sekretarit personal të ministrit të Jashtëm brenda Ambasadës Amerikane në Tiranë për trafik ndërkombëtar droge. Ditën e premte, sekretari i Ministrisë së Jashtme, Almir Rapo, ishte në kërkim nga Policia amerikane dhe është arrestuar teksa po aplikonte për vizë në Ambasadën Amerikane në Tiranë.
Reagimi
Deputeti Balla tha se arrestimi i sekretarit të ministrit Meta është shprehja më e qartë e individëve që përbëjnë këtë qeveri të zhytur thellë në korrupsion, kontrabandë, trafiqe, lidhje me krimin e organizuar dhe organizatat mafioze. “I kërkojmë sot Ilir Metës të japë dorëheqjen në shenjë përgjegjësie për këtë incident të rëndë që ka prekur Ministrinë e Jashtme. Ky skandal i turpshëm bëhet edhe më i thellë me reagimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme, sipas të cilit, ky individ na paska qenë marrë në punë si sekretar personal i ministrit brenda të gjitha rregullave dhe me konkurs, kur në fakt nuk ka pasur asnjë konkurs. Fakti që ky person është i katërti në listën e të arrestuarve nga radhët e LSI-së e shton edhe më shumë këtë përgjegjësi”, - u shpreh Balla, duke i bërë të qartë edhe kreut të qeverisë se “i kujtojmë sot Sali Berishës se nuk është e largët dita kur ti dhe kriminelët e tu do të japin llogari për të gjitha krimet dhe pisllëqet”.
Korrupsioni
Socialisti Balla u shpreh se kriminelët nuk janë vetëm në radhët e ndihmësve, kriminelët janë të infiltruar në të gjitha nivelet e kësaj qeverie të ngritur mbi përdhunimin e votës së lirë, korrupsionin dhe plaçkitjen e pasurisë së shqiptarëve. “Të kërkuar nga Drejtësia, të pagjykuar, por me vepra penale të kryera janë edhe ministrat e Sali Berishës, Lulëzimi dhe Fatmiri”, - tha Balla. Ai kujtoi se vetëm pak ditë më parë, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror i informoi ligjvënësit shqiptarë se struktura të qeverisë janë të lidhura me krimin e organizuar, se diplomatë shqiptarë po japin informacione sekrete të NATO-s për shërbimet inteligjente ruse dhe të tjera. “Sali Berisha i di se cilat janë këto struktura të qeverisë dhe kush janë këta diplomatë, sepse këta kriminelë kanë bekimin e Don Sali VICIDOLIT, tashmë pa asnjë dyshim sponsori kryesor i mafieve serbe dhe ruse që i janë vërsulur Shqipërisë”, - u shpreh Balla.
6 Korrik 2010