Arrestimi i tre kërcënuesve të Ramës, Burgaj jep detajet

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj në një konferencë për shtyp ka dhënë detajet në lidhje me arrestimin e tre personave që kishin kërcënuar kreun e Partisë Socialiste Edi Rama.
Ai deklaroi se shtetasi Luan Rami kishte kërcënuar me mesazhe telefonike kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Sipas Burgajt në këto mesazhe Rami kërkonte nga kreu i opozitës zhdëmtimin e automjetit të tij privat që ishte dëmtuar më datën 21 janar gjatë protestës së dhunshme.
“Strukturat e gardës morën masa për përforcimin e sigurisë fizike të Edi Ramës dhe personaliteteve shtetërore. Më datë 28 janar nga ana e strukturave të qarkut Tiranë u bë arrestimi në flagrancë të shtetasve të përmendur. Materialet hetimore i kaluan për ndjekje prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë”, theksoi Burgaj.