Matura Shtetërore, testi paraprak më 27 prill
Më 27 prill, maturantët e shkollave të kryeqytetit i nënshtrohen provimit paraprak për Letërsinë dhe Gjuhën. Rregullat do të jenë të ngjashme me testimin zyrtar që do të zhvillohet në muajin qershor. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka bërë gati tezat, të cilat duhet të plotësohen brenda orës nga nxënësit e ndarë në klasa me nga 15 persona dhe të mbikëqyrur nga mësues që nuk japin këtë lëndë. Sipas MASH, kjo është një mënyrë për të njohur maturantët me modelin e Maturës Shtetërore, e njëkohësit për të vlerësuar punën e mësuesit. Ky model do të zbatohet në vijim në të gjitha rrethet. Ndërkohë që për përgatitjen e testeve që do tu nënshtrohen maturantët në muajin qershor, Agjencia Kombëtare e Provimeve po analizon të dhënat që kanë plotësuar gjimnazistët në formularin A1. Provimi i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe është i pari që do të japin rreth 34 mijë maturantë. Në të gjithë vendin është caktuar data 2 qershor për të marrë pjesë në testim. I dyti me detyrim është Matematika. MASH ka vendosur që këtë vit ky provim të jepet më datë 16 qershor. Lëndët me zgjedhje do të jepen më 30 qershor. Testi për secilin nga provimet e detyruara përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative. Ato vlerësohen me nga një pikë secila. Pyetje me zhvillim do të jenë 12, të cilat vlerësohen në total me 37 pikë. Të dyja provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë 30 minuta secila. Provimet me zgjedhje zgjasin 3 orë. Maturantët do të kenë në dispozicion nga 1 orë e 30 minuta për të zgjidhur pyetjet për secilën lëndë.