Korrupsioni në radhët e policisë, pranga nëntë policëve
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i ka dhënë një goditje të fortë korrupsionit brenda radhëve të Policisë së Shtetit, duke arrestuar 9 punonjës të Policisë Rrugore në Komisariatin e Fierit. Ndërkohë që nën hetim janë edhe tetë punonjës të tjerë të këtij komisariati. Sipas burimeve zyrtare, personat e ndaluar akuzohen për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit pasiv”. Sipas të njëjtave burime, nën hetim janë edhe dhjetëra shtetas shqiptarë, të cilët akuzohen se u kanë dhënë ryshfet punonjësve të policisë të arrestuar. Prej disa muajsh, SHKB kishte nisur hetimet në lidhje me aktivitetin e 17 punonjësve të policisë së Fierit. Nga puna e kryer në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier u dokumentua aktiviteti i paligjshëm i nëntë personave. Ditën e djeshme u krye ndalimi i Arjan Xhekës, Bardhosh Malajt, Flamur Dervenit, Pëllumb Toros, Pëllumb Çepeles, Vladimir Gjinit, Leonard Brahimajt, Anesti Gjinit dhe Ermir Gjonçe, të gjithë punonjës të Policisë Rrugore në komisariatin e Fierit. Sipas burimeve zyrtare nga policia, nëntë të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe më shumë se një herë kanë kryer veprën penale të korrupsionit pasiv gjatë shërbimit të tyre. Ata punonin përgjatë aksit rrugor Lushnjë-Fier-Vlorë, duke u marrë para drejtuesve të automjeteve në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Kështu, në këmbim të parave, nëntë të ndaluarit mbyllnin “njërin sy” në mënyrë të kundërligjshme, nëse drejtuesit e mjeteve që ishin kapur në shkelje u jepnin atyre “për të pirë një kafe”. Ndaj tetë punonjësve të tjerë të Policisë Rrugore, hetimet vazhdojnë në gjendje të lirë. Sipas informacioneve zyrtare, nën hetim janë gjithashtu edhe 35 qytetarë, drejtues automjetesh, të cilët në kohë të ndryshme u kanë dhënë para këtyre punonjësve të Policisë Rrugore në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të korrupsionit aktiv. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit të Fierit për veprime të mëtejshme.