E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mllef kundër deputetëve

Gjysmën e jetës e kanë kaluar duke mësuar, duke shkuar në shkollë, universitete, institute e më vonë, duke shërbyer nëpër spitale, shtëpi shëndeti etj.

Kanë shpëtuar qindra mijëra njerëz nga sëmundje të ndryshme. Për dhjetë vjet rresht ata jetojnë me një pagë që është nën 300 euro. Këta janë mjekët specialistë të Kosovës.

Kemi edhe mësuesit që 20 vitet e fundit herë me pare e herë pa pare kanë shërbyer për të rritur dijen e qytetarëve të Kosovës.

Edhe ata duhet të kënaqen me një rrogë të mjekut. Janë shërbyesit civilë, që tash e dhjetë vjet marrin paga shumë të ulëta, për një punë me përgjegjësi.

Mos t’i përmendim policinë që ka në duar sigurinë e Kosovës. Rrogat e tyre po ashtu sillen te rroga e një mjeku apo mësuesi. Ku janë ata të sistemit të drejtësisë, pensionistët etj.

Në anën tjetër, kemi përfaqësuesit e popullit, të cilët dorën në zemër e kanë shpallur pavarësinë e Kosovës, kanë miratuar një flamur dhe himn, e kanë miratuar propozimin për të shndërruar 28 Nëntorin nga Dita e flamurit në Ditën e shqiptarëve, decentralizimin etj.

Në fund janë përkujdesur që të vendosin për vete rrogën e 13-të dhe të rrisin pagat e tyre në mbi 1400 euro. Këta janë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kjo diskrepancë mes pagave të deputetëve dhe të punonjësve të tjerë të institucioneve të ndryshme ka filluar të mobilizojë sindikata të ndryshme për t’u çuar kundër këtyre rritjeve.

Kësaj radhe kritikat e tyre nuk do të mbesin vetëm deklarative. Ata paralajmërojnë masa të tjera kundër vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për t`ua rritur pagat deputetëve të Kosovës.

Asllan Bajrami, kryetari i sindikalistëve shëndetësorë të Kosovës, thotë se mjekët specialistë kanë një punë me shumë përgjegjësi.

“Është komentuar në mesin e punëtorëve shëndetësorë si një akt porovokativ, një ngritje e pagave e panevojshme dhe e pamerituar e kuvendarëve të zgjedhur nga populli”, vlerëson ai.

Sipas tij, deputetët lëre që nuk bëjnë ndonjë punë më të madhe se mjekët, por ata nuk i kryejnë punët e parapara me Kushtetutën e Kosovës.

“Një mjek specialist ka 25 vjet shkollë. Punon natën, ditën, puna është shumë me përgjegjësi, si punë individuale. Për një deputet nuk duhet shumë shkollë, por vetëm preferencë politike”, shton Bajrami.

Ai tregon se tashmë janë në biseda edhe me sindikata të tjera për t’u bashkuar dhe protestuar kundër vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, edhe Shaban Tasholli nga Sindikata e Pavarur e Policisë së Kosovës, tregon se në kohën kur deputetët marrin pagën e 13 dhe iu rritet paga, policët e Kosovës ende nuk kanë sigurim shëndetësor.

“Kur dëgjojmë kur parlamenti merr rrogën e 13, shtesa marramendëse. Kjo është shqetësuese për Sindikatën e Policisë dhe Policinë”, thekson Tasholli.

Edhe Haxhi Arifi nga Bashkimi i Sindikatave të Kosovës thotë për Express se nuk mund t’iu lejohet një komoditet deputetëve që të marrin rroga të mëdha, në kohën kur punonjësit shëndetësorë, civilë, të arsimit, pensionistët, etj. jetojnë në gjendje të rëndë, shpeshherë edhe në varfëri ekstreme.

“Ky është një diskriminim ndaj punëtorëve dhe popullit të Kosovës. Nga ky popull ata votohen dhe financohen dhe ata të mendojnë vetëm për vete, e jo për popull. Strategjia e veprimit do të ndryshojë këtë vit. Ne nuk jemi të interesuar për kriza sociale”,vlerëson Arifi i shqetësuar për vendimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për rritjen e pagave të deputetëve.

1400 euro që marrin deputetët tash e tutje në muaj, është vetëm për detyrën si deputet.

Anëtarët e legjislativit kanë edhe benificione të veçanta. Ndërsa, ata që janë kryetarë të komisioneve ose anëtarë të Kryesisë, pagën e kanë edhe më të lartë, ndërsa me vendimin e ri të Kryesisë së Kuvendit, këto paga do të rriten edhe më shumë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›