Kavajë;Pas tre muajve, dokumentohen vjedhjet e kryera nga tetë persona
Policia e Kavajës ka dokumentuar disa vjedhje të kryera nga tetë persona, të cilët u ndaluan më 21 tetor nga Policia e Kavajës. Të arrestuarit janë 32-vjeçari Lulzim Kalaja, Elvis Kalaja, Jodjan Shametaj, Gramos Shehaj, Ilirjan Mukaj, Vllasi Furxhi e Klodian Gabaj, të gjithë banues në Vlorë, ndaj të cilëve gjykata ka dhënë masën “arrest me burg”. Gjatë operacionit të zhvilluar u ndalua dhe 20-vjeçarja Beslinda Lile, ndaj së cilës është dhënë nga gjykata masa “arrest në shtëpi”. Nga hetimet e bëra rezulton se këta shtetas janë autorë të 7 vjedhjeve të tjera. Më datë 14 tetor 2009, në fshatin Spille të rrethit Kavajë dyshohet se kanë realizuar vjedhjen me thyerje në lokalin në pronësi të një shtetasi, duke marrë sendet elektroshtëpiake. Më datë 16 tetor 2009 në zonën e plazhit Golem Kavajë, kanë realizuar me thyerje vjedhjen e lokalit të një shtetasi, duke vjedhur një televizor plazma dhe disa shishe pije alkoolike. Gjithashtu, më datë 21 tetor 2009, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kapur në flagrancë përgjatë autostradës Kavajë-Rrogozhinë, duke vjedhur karburant në makineritë e firmës “Salillari”. Po i njëjti grup dyshohet për vjedhjen e ndodhur më datë 04 nëntor 2009 në fshatin Vile-Bashtovë, të rrethit Kavajë, duke marrë të gjitha pajisjet e lokalit, si dhe autorë të vjedhjes së automjetit tip “Benz 240”, me targa TR 5876 A, më dt 10.10.2009 në fshatin Mamzotaj, Kavajë në pronësi të një shtetasi. Dyshohet se autorët e mësipërm kanë realizuar edhe vjedhjen e një motori tip “Pezho”, vjedhur në qytetin e Vlorës në pronësi të një shtetasi, mjet i sekuestruar në cilësinë e provës. Sipas burimeve zyrtare, më datë 11 janar 2010, kanë realizuar vjedhjen e një banese ku kanë marrë disa televizorë plazma, një sërë pajisjesh hidraulike dhe kuzhine, artikuj të ndryshëm ushqimorë etj. Pas dokumentimit ligjor të vjedhjeve të realizuara në bashkëpunim nga grup kriminal, materialet i kaluan prokurorisë së rrethit për veprime të mëtejshme.