Arrestohen 3 policë të Rrugores
TEPELENE/ PIRO NASE
Merrnin ryshfet, kapet e gjithë patrulla e Policisë Rrugore në aksin Tepelenë-Gjirokastër. Tre punonjës policie u vunë dje në pranga, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Burime zyrtare nga komisariati i Tepelenës kanë bërë të ditur për gazetën "Panorama" se arrestimi i djeshëm erdhi pas një hetimi 4-mujor të kryer nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ndaj punonjësve të policisë Mustafa Shehaj, Erion Zylfaj, Fatos Hysi dhe Adrian Muhameti. Ndaj tyre rëndon vepra penale e korrupsionit pasiv në bashkëpunim. Drejtuesit e SHKB-së Gjirokastrës kanë grumbulluar prova të mjaftueshme duke arrestuar të katër policët, me detyrë punonjës policie në Sektorin e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Tepelenë. Shkalla e parë e gjyqësorit të Gjirokastrës ditën e djeshme, në bazë të provave ligjore të grumbulluara nga SHKB-ja vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" për të katër policët e qarkullimit rrugor të Tepelenës. Rreth orës 14:30 është kryer ekzekutimi i urdhrit të ndalimit, lëshuar nga Prokuroria e rrethit. Në momentin e ekzekutimit të këtij urdhri, njëri prej policëve që rezultonte në listën e të arrestuarve, Mustafa Shehaj, 40 vjeç nuk është gjetur në banesë, ndërsa tre punonjësit e tjerë: 30-vjeçari Erion Zylfaj, Fatos Hysi, 42 vjeç dhe Adrian Muhameti, 34 vjeç janë ndaluar dhe shoqëruar në dhomat e para-burgimit pasi kanë lënë turnin e punës. Për policin Mustafa Shehaj, është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë menjëherë pezullimi i tyre dhe ka filluar procedimi disiplinor për përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit. Shkak për këtë veprim, janë bërë ankesat e shumta të mjaft qytetarëve në adresë të së arrestuarve. Nga hetimet ka rezultuar se punonjësit e policisë u merrnin ryshfet drejtuesve të mjeteve që qarkullonin në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në këmbim të mosvendosjes së gjobave. Vendi ku policët operonin ishte në afërsi të Urës së Leklit, tre km larg kufirit administrativ mes Tepelenës dhe Gjirokastrës. Mësohet se nga koha e nisjes së hetimit, SHKB ka mundur të filmojë e të fotografojë veprimet e paligjshme të kryera nga policët.
Burgjet, pranga sekserit
LEZHE - Pas ndalimit të shefit të Auditit të Brendshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Artur Brahja, bie në pranga edhe sekseri i tij. I arrestuari është Pashk Nika, pronari i lokalit që ndodhet përballë burgut të Shënkollit. Dy vite më parë, Nika ka pasur vëllanë e tij drejtor të këtij burgu. Duke qenë se e gjithë administrata e burgut qëndronte në lokalin e tij, ai kishte mundësi edhe të "peshkonte" personat që kishin nevojë për ndërhyrjen nga "lart". Për këtë shkak ai ka kryer rolin e sekserit edhe për 39-vjeçarin Artur Brahja nga Shkodra, i cili u arrestua pas denoncimit të një qytetari për marrje ryshfeti dhe korrupsion. Nika në të shumtën e rasteve futej edhe si garant për përmbushjen e misionit nga ana e Artur Brahjes. r.n