Mjekoi 17-vjeçaren e plagosur me armë, nuk njoftoi policinë
PUKE - Në hetim kirurgu i cili mjekoi një 17-vjeçare të plagosur me armë, por nuk njoftoi policinë. Mësohet se Musa Velaj, mjek në spitalin e Pukës do të ndiqet në gjendje të lirë me akuzat e "shpërdorimit të detyrës", "moskallëzim krimi" dhe për "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Ngjarja për të cilën ai akuzohet ndodhi të hënën e kaluar rreth orës 16:00 në Fushë-Arrëz ku mbeti e plagosur K. Brahimi. Prindërit e saj e kanë çuar në spitalin e Fushë-Arrëzit, pasi ajo kishte marrë një plagë në gjurin e majtë, por më pas është transportuar në Pukë. Kirurgu Velaj ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale pa njoftuar sipas ligjit policinë, por kjo e fundit e kishte mësuar ngjarjen në rrugë operative, duke identifikuar si autor të saj 18-vjeçarin Erjon Gjonaj, i cili ishte i fejuari i vajzës së plagosur. Ai është shpallur në kërkim për "Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake" dhe "Plagosjes së lehtë nga pakujdesia". Vajza deklaroi se pistoleta ka qenë në xhepin e një xhakete. Ajo e ka marrë atë për ta varur, por i ka rënë në tokë duke e plagosur. Sipas saj, është bërë shkrepje e pavullnetshme duke e plagosur. Mjeku 52-vjeçar ka pohuar në polici se ka qenë detyre e spitalit të Fushë-Arrëzit që të njoftonte ata dhe jo e tij. r.d