E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohen 4 trafikantë klandestinësh

18/04/2005  20 personat janë kapur në afërsi të kufirit shqiptaro-grek të Kapshticës nga policia e Devollit

KORÇË - Katër të arrestuar dhe 20 klandestinë të shoqëruar në polici, është rezultati i operacionit të policisë së Korçës, kundër trafikut të qenieve njerëzore, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar në Kapshticë. Kështu është goditur një rrjet trafikantësh të qënieve njerëzore që funksiononte në rrethet Fier, Lushnjë, Elbasan dhe Devoll. Kjo u arrit pas një kontrolli të ushtruar gjatë dy netëve të fundit nga komisariati i policisë, përgjatë vijës së kufirit në rrethin e Devollit. Sipas burimeve policore, mësohet se ky rrjet ndihmonte njerëz të ndryshëm për të depërtuar ilegalisht në tokën greke, kundrejt një pagese të paracaktuar. Në mesnatën e së shtunës, policia ka arrestuar 4 trafikantë të refugjatëve si dhe ka kthyer mbrapa, 20 emigrantë të tjerë që sznonin për të shkuar në Greqi. Mësohet gjithashtu se, 2 prej trafikantëve, kishin për detyrë të gjenin shtetas nga vende të ndryshme të Shqipërisë, ndërsa dy të tjerët i prisnin ata për ti kaluar në Kapshticë. Grupi i parë, i drejtuar nga 35-vjeçari Petrit Shkreli, u kap në afërsi të fshatit Kapshticë, duke udhëtuar me një furgon. Shumë shpejt u kap edhe trafikanti pritës, Rudi Aliçkolli 37-vjeç, banor i fshatit Kapshticë. Ndërkohë, grupi i dytë po udhëtonte drejt këtij fshati më një autoveturë tip benz, gjysëm ore pas mesnate. Në krye të këtij grupi ishte 27-vjeçari Marios Dulaj, banor i fshatit Kasnicë të rrethit Fier. Ky kontigjent refugjatës do të përcillej për në fshatin grek nga Leonard Agolli, banor i fshatit Gollobërdë të rrethit të Korçës. Të gjithë të lartpërmendurit, janë shoqëruar për në mjediset e komisariatit të Devollit dhe nga veprimet e para hetimore, ka rezultuar se ky rrjet funksiononte prej kohësh. Burimet policore bëjnë të ditur se, katër trafikantët u arrestuan nën akuzën e trafikimit të qënieve njerëzore, dhe dy mjetet janë sekuestruar.

Shtohen rastet e kalimit ilegal

Dhe pse u duk se kufijtë e vendit nuk mund të kaloheshin më ilegalisht, pas disa arrestimeve të bujshme gjatë vitit 2003/2004, aktualisht, situata paraqitet ndryshe. Kapja e 20 klandestineve në Devoll, nuk është rasti i vetëm kohët e fundit. Sipas burimeve policore edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar, tokësor dhe detar, ka tendenca të theksuar për nisjen e klandestineve. Trafikantët duket se janë organizuar sërish, nisur dhe nga nevojat e paraqitura në ofertë si dhe në gjetjen e formave të bashkëpunimit me policinë.

Jo pak individë nuk kanë asnjë mundësi tjetër për t’u larguar nga Shqipëria. Pazaret e larta dhe veshtirësitë e shfaqura nëpër ambasada, kanë kufizuar mundësinë e levizjes lirshëm drejt shteteve të tjera të Europës apo në Greqi. Ndonëse pazari nëpërmjet kalimit ilegal është rritur, shihet se dhe numri i kërkesave është po gjithashtu në rritje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›