E Diel, 1 Nëntor 2026

Paloka: Droga e firmës së Dukës

18/04/2005  Itali, kapet shoferi i AIBA-s me 25 kg heroinë

Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha dje se, heroina e kapur një ditë më parë në Rimini të Italisë, është pronë e Ministrit të Bujqësisë, Agron Duka. Sipas tij, 25 kilogramët e heroinës, janë gjetur në njërin prej kamionëve të kësaj firme. Sipas burimeve të sigurta nga policia Italiane, kamioni që është kapur ditën e djeshme në Rimini të Italisë me rreth 25 kilogramë heroinë në të, është në pronësi të firmës AIBA Kompani. “Shoferi me emër G.Delvina, është punonjës i kësaj kompanie” tha Paloka. Sipas tij, kapja e një sasie të tillë droge, vërteton edhe njëherë akuzat e opozitës se, paratë e pista të ministrave po tentojnë të kthehen në mandate deputetësh. “Rasti i djeshëm, vërteton edhe një herë se akuzat e ngritura nga PD-ja janë të vërteta. Ky fakt vërteton lidhjet e klanit të Zemunit me krimin e organizuar, si dhe lidhjet e Ministrave të Nanos me trafiqe nga më të ndryshmet. Rasti i djeshëm tregoi se pulat e Agron Dukës, nuk i bëjnë “vezët e arta” si pasojë e koncetrateve dhe ushqimeve që përdor Duka për t’i ushqyer , por janë prodhim i pluhurit të bardhë që vetë ministri trafikon përtej brigjeve të Italisë. Ky është një tjetër rast pas kontrabandës së cigareve me vlerë më shumë se katër milionë dollarë, që tregon se klani i Zemunit vazhdon të jetë aktiv, ndërsa kryeministri Nano, ka në krah të tij trafikantët për ministra”, tha Paloka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›