E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtëpia e lindjes pa drita

18/04/2005  LUSHNJE - Mungesa e energjisë elektrike përgjatë gjithë orëve të natës që shkoi, ka vështirësuar punën e bluzave të bardha, në spitalin obsetrik gjinekologjik të spitalit të Lushnjës. Sipas burimeve të brendshme të spitalit, mungesa e energjisë elektrike, ka sjellë probleme serioze në repartin e fëmijëve të porsalindur dhe që kanë nevojë të trajtohen, për të arritur peshën e duhur, ku kërkohet temperaturë normale, e cila sigurohet vetëm me anën e energjisë elektrike. Nga ana tjetër, filiali elektrik pohon se, shkak për mungesën e energjisë, ka qënë një defekt elektrik, për të cilin është duke u punuar. Drejtuesit e maternitetit thonë se, furnizimi me energji elektrike për këtë objekt të rëndësisë së veçantë, është domosdoshmëri, dhe ndërprerja e saj, kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe me forma të tjera. Pajisja e maternitetit me gjenerator, po shihet si një nga zgjidhjet më efikase, dhe për këtë çështje, po kërkohet ndihma e Ministrisë së Shëndetsisë dhe bashkisë së qytetit të Lushnjës. Nuk është hera e parë që në këtë qytet spitali apo shtëpia e lindjes të jenë pa energji për disa orë me rradhë apo dhe me ditë të tëra. Banorët jo në pak raste kanë paraqitur peticione pranë strukturave të pushtetit lokal me shpresën për përmisim të situatës. Gjithsesi zgjidhja ka qenë e përkohshme ndërsa në vazhdimësi shfaqen probleme serioze kryesisht në ato institucione ku energjia është domosdoshmëri. Ndodh që banorët për të mos rrezikuar më tepër sesa ajo çka i ka zenë, nxitojnë në Tiranë për të marrë ndihmën e nevojshme mjeksore në spitalet e metropolit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›