E Hënë, 2 Nëntor 2026

I jep pasaportë të kërkuarit, përjashtohet nga policia

18/04/2005  Sazan Ferhati komisari i Skraparit është penaliziar pak ditë më parë nga ministri i Rendit

BERAT- Pasaporta e një personi në kërkim, i ka “ngrënë kokën” njërit prej krerëve të policisë së qarkut të Beratit. Është përjashtuar nga policia shefi i krimeve të Skraparit. Komisar Sazan Ferhati, mësohet se nuk bën më pjesë në rradhët e policisë së shtetit, dhe do të ndiqet edhe penalisht nga organi i akuzës. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit. Sipas këtyre burimeve, Ferhati ka abuzuar me detyrën dhe, ka shlekur betimin duke bërë të mundur marrjen e një pasaporte të re për jashtë shtetit, për një person të shpallur në kërkim. Ngjarja për të cilën është penalizuar Ferhati, ka ndodhur në kohën që ai drejtonte komisariatin e Elbasanit.

Përjashtimi

Ende duket se nuk ka të përfunduar “odiseja” e korrupsionit në seksionin e pranimit të dokumentave, dhe të prodhimit të pasaportave. Këtë radhë, pre e trafikut të pasaportave, ka rënë shefi i krimeve të komisariatit të Skraparit, i cili mban gradën e komisarit, Sazan Ferhati. Disa ditë më parë, ka mbërritur në drejtorinë e policisë së Qarkut të Beratit, një faks nga Ministria e Rendit, e firmosur nga vetë kreu i këtij dikasteri, Igli Toska, me anën e të cilit, është urdhëruar përjashtimi nga radhët e policisë, të oficerit të lartë që mbante gradën e komisarit dhe që prej tre muajsh, kryente detyrën e shefit të krimeve të komisariatit të Skraparit, Sazan Ferhati.

Motivacioni

Sipas burimeve të policisë, motivacioni me anë të të cilit është përjashtuar nga radhët e policisë, oficeri i lartë i policisë, ka qenë saktësisht: “Përjashtohet nga radhët e policisë për shkelje të rëndë të detyrës dhe të betimit ushtarak”. Në mëngjesin e ditës së shtunë, komisarit Ferhati, i është komunikuar urdhëri i ministrit dhe një orë pas komunikimi të këtij urdhëri për përjashtimin nga radhët e policisë, komisari është detyruar të dorëzojë pajimet ushtarake personale. Megjithëse nuk bëhet i qartë abuzimi që ka bërë komisar Ferhati, burime nga ky komisariat thanë për gazetën “Metropol” se, komisari tashmë i përjashtuar nga radhët e policisë, ka paisur me pasaportë një person tepër të rrezikshëm që është në kërkim, gjatë kohës që ka qënë me detyrën, shefi i komisariatit të qytetit të Elbasanit, rreth 6 muaj më parë.

Karriera

Komisar Sazan Ferhati ka një karrierë prej 28 vjetësh punë, në dikasterin blu, me detyra të ndryshme policie, si shef i krimeve në qytetin e Vlorës, më pas, shef i komisariatit të këtij qyteti, inspektor i policisë të komisarjatit të Lushnjes e të Fierit. Pas disa viteve pune ai ka mbajtur dhe detyrën e shefit zyrës së krimeve kundër personit, në Ministrinë e Rendit. Një vit më parë, ka qënë shefi i komisariatit të rrethit të Elbasanit dhe pas, qëndrimit për gati një vit në këtë detyrë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, ai është emëruar me punë në drejtorinë e Policisë të Beratit me detyrën shefi i seksionit të anti- trafikut, tre muaj më parë transferohet në komisariatin e rrethit të Skraparit me detyrën e shefit të krimeve.

Precedentë

Të përjashtuarit për pasaporta

20 ditë më parë, është pezulluar nga detyra në drejtorinë e policisë së Qarkut të Shkodrës, komisari Vasil Çela. I njëjti fenomen është përsëritur dhe në komisariatin e Lushnjes. Deri tani, në Drejtorinë e Policisë të Qarkut të Beratit, janë përjashtuar nga radhët e policisë 5 oficera të lartë me detyra të rëndësishme si ato të shefit të krimeve, atë të rendit si dhe oficera me detyrë shef i zyrës të pasaportave. Gjithashtu, të përfshirë në pazare pasaportash, kanë rezultuar dhe mbi 13 policë të thjeshtë, të cilit janë përjashtur nga radhët e policisë. Dy prej tyre janë dërguar dhe në burg. Ndërkohë që flitet për trafiqe pasaportash të dhënë në mënyrë të jashtëligjshme, personave të shpallur në kërkim nga policia, disa ditë më parë, një ngjarje pa precedentë ka tronditur qytetin e Beratit. Disa ditë më parë, para portës të komisariatit të Beratit, një 47-vjeçar, Safet Bufi, tentoi të vetëflijohej duke u djegur me benzinë, për të vetmen arsye se, ky komisariat nuk e paiste me pasaportë vajzën e tij të sëmurë, e cila duhej të kurohej jashtë Shqipërisë.

I dënuari i fundit ishte oficeri i zyrës të pasaportave, Dritan Sula, i cili është dënuar me dy vjet burg me akuzën, paisje me pasaportë të një personi pa qënë prezent, duke i falsifikuar gjeneralitetet dhe moshën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›