Shteti nuk investon për banorët e Ksamilit

18/04/2005 Sarandë - “Shteti është treguar dorështrënguar me investimet e tij në qytezën turistike”. Kjo ka qënë deklarata e kryetarit të komunës së Ksamilit, në analizën e punës 16 mujore, të zhvilluar pasditen e djeshme në sheshin kryesor të qytezës. Duke folur përpara qindra banorëve të kësaj komune, Koçia, tha se shteti nuk ka treguar asnjë lloj interesi, për një nga zonat më të zhvilluara turistike të vendit siç është Ksamili. Ai ka sulmuar pushtetarët socialistë se e kanë larguar vëmendjen nga Ksamili dhe, kjo komunë po dallohet vetëm se qeveriset nga Partia Demokratike, por kjo është një ide e gabuar pasi, stafi i komunës po punon me vullnet të madh pa dallime partike. Sipas tij, kjo duhet të jetë e pranishme edhe në qeverinë shqiptare, për të mos ta distancuar Ksamilin nga komunat që drejtohen nga Socialistët për investimet. Koçia ka akuzuar shtetin, se nuk bashkëpunon me komunën në vjeljen e taksave, dhe stimulon disa biznese të mëdha që janë nën administrimin e komunës, për të mos paguar detyrimet financiare, të cilat janë një ndër të ardhurat kryesore të institucionit vendor. Numri një i komunës së Ksamilit ka theksuar se, fabrika e grumbullimit dhe e konservimit të molusqeve në liqenin e Butrintit, është një nga debitorët e komunës dhe anashkalohen detyrimet ndaj komunës Ksamil, një komunë që nuk mbështetet nga strukturat shtetërore në këtë rrugë ligjore, për të grumbulluar të ardhurat që i takon asaj. Është e papranueshme që në Ksamil të mos ketë një shkollë fillore, kur kjo komunë ka numrin më të lartë të gjithë nxënësve në të gjithë rrethin e Sarandës, thotë kryekomunari. Këta fëmijë, sipas Koçisë, janë të pambrojtur ndaj kushteve atmosferike, por shteti është shumë larg nga ata vogëlushë, të cilët sipas Koçisë, nuk janë as demokratë dhe as socialistë.