Ndalohet pronari i skrapit, iu gjendën predha e municion luftarak
ELBASAN Iu gjend predha e municion luftarak mes hekurishteve për skrap, arrestohet pronari. Strukturat e hetimit dhe të parandalimit të krimit të policisë së Elbasanit kanë përfunduar dje operacionin që ata e koduan “Çdemontimi”, duke vënë në pranga Mustafa Ymerin, 45 vjeç, me banim në lagjen “5 maji”, pasi gjatë kontrollit që u ushtrua në pikën e grumbullimit të hekurishteve në fshatin Xibrakë, në anë të rrugës Elbasan-Librazhd, iu gjendën predha e municion luftarak, të cilat ai i kishte grumbulluar për t’i shitur më pas për skrap në metalurgji. Predhat dhe municioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërkohë ndaj tij është ngritur menjëherë akuza e “Mbajtjes së armëve, bombave, minave, lëndëve plasëse pa lejen e organeve kompetente”.
Gjatë marrjes në pyetje në polici, autori ka mohuar të ketë dijeni për praninë e tyre në vendgrumbullimin e hekurishteve, duke argumentuar se e blinte skrapin nga persona të tjerë. Dy ditë më parë një 24-vjeçar gjeti vdekjen ndërsa po priste me trako një bombol gazi në një varrezë makinash. Por pas kontrollit të varrezës policia gjeti edhe një predhë luftarake. Gjatë këtyre ditëve shërbimet e policisë së qarkut Elbasan kanë ushtruar kontrolle në të gjitha varrezat e makinave dhe pikat e grumbullimit të skrapit. F.S.