E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen “agjentët 007”, u kthyen nga policia greke



SARANDE/ SHPRESA DINE

Arrestohen agjentët e rremë 007. Policia greke i depërtoi ata mesditën e djeshme në pikën kufitare të Qafë-Botës si klandestinë, por vetë të rinjtë janë hequr sikur “ishin me detyrë shtetërore në shtetin grek”. Burimet zyrtare të policisë thanë se dy të rinjtë nga Shupenza e Dibrës janë hequr si agjentë të Antiterrorit, madje dispononin dhe teserat e lëshuar nga “Qendra e Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar”. Në shtetin grek ata janë gjetur mes një grupi shqiptarësh pa dokumente dhe bashkë me ta janë deportuar si klandestinë për në pikën e kalimit kufitar të Qafë Botës. Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare të Sarandës, Ilir Gjoça ka sqaruar për gazetën se, dokumentet e paraqitura prej tyre kanë qenë të përgatitura në mënyrë të përsosur, në të cilat stampohet fotografi, gjurmë gishtash, vula e sigla, si dhe flamuri amerikan, shqiptar, italian dhe ai i Bashkimit Europian. Fleta e paraqitur prej tyre mban stemën me mbishkrimin Republika e Shqipërisë, Qendra e Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar, dokument ky me shtrirje ndërkombëtare dhe të nënshkruar prej Gjeneral Director Maksim Ferra. Erand Lika rezulton agjent sekret me numrin 1059, ndërsa Mikel Xheta agjenti nr.1053. Ka rezultuar që identitetet personale të të rinjve Mikel Xheta dhe Erand Lika nga Shupenza e Dibrës nuk kanë qenë të rreme, ndërsa dyshohet se dokumentet që ata paraqesin si agjentë 007, janë tërësisht të fabrikuara. Me këto dokumente, dy të rinjtë kanë kaluar qetësisht nga pika e kalimit kufitar të Qafë-Botës për në Greqi. Prej andej dyshohet se do të arrinin në Itali. Policia e Sarandës i ka arrestuar ata për 4 akuza: “mashtrim”, “falsifikim”, “përvetësim të titujve shtetërorë” dhe “kalim të paligjshëm të kufirit”. Megjithatë, hetimi nuk ka mbetur në Sarandë, pasi po punohet për të mësuar nëse dokumenti i paraqitur prej tyre ishte fals apo ishte dorëzuar nga vetë Qendra e Antiterrorit. Kjo e fundit është krijuar rreth 4 vjet më parë, por emri i saj u lakua për shpërndarje në mënyrë abuzive të kartave të anëtarësimit. Pak javë më parë, një person i vetëshpallur si agjent i Interpolit u kap në Morinë, duke paraqitur një dokument, i cili dyshohet se u shpërnda nga e njëjta qendër. Ka dyshime se dokumentet mund të shpërndaheshin dhe për qëllime përfitimi. Në pyetje janë marrë dje dhe punonjësit e policisë kufitare të Qafë-Botës për të mësuar rrethanat dhe arsyet pse i kanë lënë të kalojnë këta dy persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›