E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyten në rezervuar dy vëllezër, djemtë e kryetarit të fshatit



MAT - Ka qenë fatale dita e djeshme për familjen Xhetani në fshatin Derjan në rrethin e Matit. Dy prej djemve të kryetarit të fshatit kanë humbur tragjikisht jetën në rezervuarin e fshatit dje në mesditë. Për të përballuar vapën e madhe vëllezërit Ervin dhe Klevis Xhetani, 24 dhe 22 vjeç dhe shumë të rinj të tjerë nga ky fshat dhe zona të tjera kanë udhëtuar për disa kilometra për të mbërritur në rezervuarin e fshatit. Mësohet se ata janë hedhur në ujë njëri pas tjetrit. Klevis Xhetani ka nisur të notojë duke iu drejtuar mesit të rezervuarit. “Hynte dhe dilte nga uji dhe menduam se ai po lahet si herë të tjera duke u zhytur në ujë, - tregojnë bashkëmoshatarët e tij. Vëllai i tij, Ervini, na pyeste pse nuk po del Klevisi. Ne nuk dinin çfarë t’i thonim. Ai u hodh direkt në ujë, në drejtimin ku Klevisi nuk u pa më të dilte në sipërfaqe. Ne vetëm shihnim ç’po ndodhte. Kaluan disa minuta dhe kuptuam se bëhej fjalë për diçka të keqe. Kërkuam ndihmë nga banorët e fshatit, por ishte mjaft vonë, pasi pranë basenit ujor nuk ka shtëpi banimi”, pohuan për gazetën “Panorama” dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes. Në kohë rekord kanë udhëtuar drejt Derjanit efektivë të policisë së Burrelit. Po ashtu i gjithë fshati ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Të rinjtë kanë ofruar ndihmën e tyre, duke nisur shpejt kërkimet në rezervuarin e fshatit. Pas afro dy orësh është mundësuar nxjerrja nga uji i trupave pajetë të dy vëllezërve Xhetani. Nga hetimet e para të policisë dhe Prokurorisë së Matit rezulton se vdekja e Ervin e Klevis Xhetanit ka qenë aksidentale. Besohet se Klevis Xhetani mund të ketë pësuar atak në zemër, pasi uji i rezervuarit ka qenë i ftohtë, ndërsa vëllai i tij është mbytur në përpjekje për ta gjetur shpejt atë dhe për ta nxjerrë nga fundi i rezervuarit. Edhe herë të tjera në këtë liqen janë mbytur njerëz, pasi ai ka llucë dhe uji është i ftohtë. Prokuroria e Matit dhe policia lokale kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në pyetje janë marrë persona që janë ndodhur në vendin e ngjarjes dhe po pyeten me imtësi si ndodhi që dy vëllezërit Xhetani humbën jetën tragjikisht duke u larë. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›