E Shtunë, 31 Tetor 2026

E fejuara tenton vetëvrasjen, pranga këngëtarit Erjon Korini



Etleva Delia

E fejuara e këngëtarit Erjon Korini tentoi t’i japë fund jetës, duke kërcënuar se do të hidhej nga kati i katërt i pallatit ku jetonte në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 19:00, në një nga pallatet e reja tek ish-Parku i Autobusëve, pranë Urës Teknologjike në kryeqytet. është dashur ndërhyrja dhe negociatat e forcave të policisë së Komisariatit nr.2 për të shmangur vetëvrasjen e 21-vjeçares Marvina Stefa, e cila është e fejuara e këngëtarit të njohur Erion Korini. Ky i fundit është arrestuar mbrëmë pak para mesnatës me akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes, mbetur në tentativë parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal. Burime nga policia e Tiranës, thanë se janë lajmëruar për ngjarjen nga këngëtari Korini, i cili ndodhej në shtëpi në momentin kur e fejuara e tij kishte hipur në parmakun e ballkonit, duke kërcënuar se do të hidhej prej aty. Brenda pak minutave policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, duke negociuar me 21-vjeçaren, e cila pas disa minutave është bindur që të zbriste, duke hequr dorë nga tentativa e saj për t’u vetëvrarë. Ndërkohë këngëtari nuk ka shpëtuar “pa lagur” nga e gjithë kjo histori, pasi efektivat e Komisariatit nr.2 e kanë shoqëruar në rajon për ta marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Policia sqaroi se pasi ka marrë në pyetje dy protagonistët e ngjarjes, ka vendosur arrestimin e këngëtarit me akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes së mbetur në tentativë”, pas deklarimeve të dhëna nga e fejuara e tij, Marvina Stefa, në lidhje me ngjarjen. Në momentin e parë kur ka zbritur nga parmaku i ballkonit, e fejuara e këngëtarit u është shprehur oficerëve të policisë, se po tentonte ta kryente vetëflijimin, sepse keqtrajtohej nga i fejuari i saj, Erion Korini. Për të sqaruar këto akuza, policia ka vendosur të shoqërojë çiftin, bashkë me një person të tretë që ndodhej në shtëpinë e tyre në ato momente. Ai mësohet se është një mik i këngëtarit. Vajza 21-vjeçare është marrë në pyetje në praninë e një psikologeje, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia nuk ka sqaruar nëse ajo do të bënte kallëzim për të fejuarin e saj. Sipas ligjit, në rastin e kallëzimit nga ana e 21-vjeçares Malvina Stafa, këngëtari rrezikon të procesohet penalisht me akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes së mbetur në tentativë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›