Depresioni, gjendet i varur tek Vollga
DURRES - Një 50-vjeçar nga Durrësi është vetëvarur në zonën e plazhit, pak metra larg shtëpisë së tij, në kushtet e tronditjes së fortë. Rreth orës 06:00 të mëngjesit është gjetur i pajetë shtetasi Shpëtim Agolli. Ngjarja ndodhi në lagjen numër një të Durrësit, tek shëtitorja bregdetare “Taulantia”. Policia tha se Agolli i ka dhënë fund jetës duke u varur tek kolonat e pistës së re, e cila gjendet përballë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Policisë i janë dashur disa orë për të identifikuar kufomën. Rreth orës 11 e 20 minuta nga të afërm të tij u bë identifikimi i shtetasit, baba i dy fëmijëve. Sipas tyre, viktima ishte divorcuar kohë më parë. Mësohet se familja e tij jetonte në Itali, ndërsa Agolli në Durrës. Sipas policisë mendohet se kemi të bëjmë me një vetëvarje, ndikuar nga kushtet e tronditjes së fortë psikike. Hetuesit janë duke kërkuar shkaqet, të cilat e çuan Agollin drejt aktit ekstrem, ndonëse sipas tyre dyshohet se divorci dhe largësia me fëmijët të ketë sjellë ndërmarrjen e veprimit ekstrem. Kalimtarë të rastit që bëjnë shëtitjen e mëngjesit pranë Vollgës kanë parë viktimën të parët, duke lajmëruar më pas policinë e Durrësit.