E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkitë, 30% e buxhetit të kulturës,për teatrin



Një tentativë për të shpëtuar nga rrënimi i plotë teatrot e rretheve. Rreth 30% e buxhetit për kulturën, që do të marrë çdo bashki, do t’u shkojë teatrove. Duke parë gjendjen në të cilën ndodhen teatrot lokalë, grupi i punës, që po merret me shqyrtimin dhe plotësimin e Ligjit për “Artin Skenik”, i cili do të quhet Ligji “Për Artin” ka propozuar ta shtojë një pikë të tillë në ligj. Këtë e bëri të njohur ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, gjatë një konference mbi ndryshimet në ligjin e shumëpërfolur. “Duke marrë shkas nga një gjendje jo shumë e kënaqshme nga institucionet e pushtetit vendor, në këtë ligj është parashikuar që për institucionet e teatrove në rrethe me më shumë se 50 vjet veprimtari, 30 % nga granti i bashkive për kulturën të kalojë te këto institucione”. Gjatë konferencës së djeshme u diskutuan edhe të tjera probleme, lidhur me këtë ligj. U bë e njohur përfshirja brenda tij edhe e dy institucioneve kulturore, përkatësisht Cirku Kombëtar dhe ai i Estradës, nën emërtesën Teatri Kombëtar i Komedisë. U diskutua gjithashtu krijimi i Qendrës Kombëtare të Artit, mënyra e emërimit të drejtuesit të saj si dhe funksionimit të kësaj qendre, ekzistenca e një bordi, apo i më shumë bordeve pranë kësaj qendre, e cila do t’ia shkarkojë MTKRS-së barrën e ndarjes së buxheteve. Merrnin pjesë në këtë konferencë-debat përfaqësues institucionesh, shoqata artistike, sindikata si dhe artistë të fushave të ndryshme. Shumica e të pranishmëve ishin dakord me ndryshimet paraprake të bëra në ligj dhe te-tuk pati edhe ndonjë vërejtje, apo sugjerim për të sqaruar më tej disa pika ende të “errëta”, si psh. atë të sponsorizimit të projekteve artistike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›