E Shtunë, 31 Tetor 2026

Van den Dool: Koha për të luftuar diskriminimin

 

Mirela Sula

Ambasadori i Holandës, Shkëlqesia e tij, Z. Henk van den Dool ndodhet me misionin e tij në Shqipëri  prej pothuajse një viti tashmë. Ai personalisht, ashtu dhe Ambasada Holandeze kanë qenë shumë aktivë dhe mbështetes të programeve që promovojnë zhvillimin e shoqërisë civlie dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Me rastin e ditës ndërkombetare Kundër Homofobisë (17 Maj) ambasadori në këtë intervistë shtjellon çështje të të drejtave të minoriteteve seksuale dhe rolin që duhet të luajë shoqëria lidhur me këtë çështje. Ai njëkohesisht ndalon tek nevoja për ndërgjegjësim, përpjekjet që duhen bërë për të influencuar sjelljet shoqërore dhe qëndrimet e njerëzve kundrejt minoriteteve seksuale nisur nga objektivi për të përmirësuar situatën për të gjithë.
Ambasada Holandeze është ndër institucionet e para që mbështet të drejtat e homoseksualëve. Në fakt, të gjithë jemi në dijeni se Holanda është një shtet ku të drejtat e njeriut janë shumë të vlerësuara dhe të respektuara. A mendoni se po jepni model edhe për të tjerët dhe për shqiptarët?
-Kjo është një pyetje e komplikuar. Ndaj edhe përgjigja do të jetë e tillë. Më lejoni së pari të shpreh se në Holandë asgjë nuk është 100% “OK” në lidhje me të drejtat e njeriut. Ne e kemi traditë të vlerësojmë dhe të respektojmë të drejtat e njeriut. Ky është një prioritet edhe në politikën tonë të jashtme; kjo është edhe një ndër arsyet përse ne po promovojmë respektin për të drejtat e njeriut në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën. Si përfaqësues të Ambasadës Holandeze në Tiranë kemi nisur të ndërtojmë një profil të bazuar tek klienti për çështjet e të drejtave të njeriut duke u përqendruar në tri fusha kryesore: 1. të drejtat e grave; jemi aktivë në promovimin e të drejtave të grave dhe mbështetjen e iniciativave dhe programeve në çështje të barazisë gjinore. 2. Të drejtat e fëmijëve, jemi duke mbështetur disa nisma dhe po përpiqemi të nxisim respektimin e të drejtave të fëmijëve. 3. Të drejtat e minoriteteve seksuale, e cila nuk përfshin vetëm homoseksualët, por edhe njerëzit që i përkasin një orientimi seksual në minoritet duke e krahasuar me shumicën e njerëzve. Kemi sponsorizuar një debat të madh mbi të drejtat e njeriut në Dhjetor 2008 në kuadër të “60 Vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të njeriut”; kemi ftuar Z. Boris Dittrich, drejtor advokimi mbi çështje të minoriteteve seksuale nga Human Right Watch (New York), kemi mbështetur realizimin e suplementit të revistës “Psikologjia” mbi homoseksualitetin si dhe do të mbështesin disa aktivitete në kuadër të ditës ndërkombëtare kundër-homofobisë, që është nesër më 17 Maj.
A mendoni se kjo lloj fushate që keni ndërmarrë gjatë kësaj kohe ka sjellë rezultate të mira në lidhje me çështjen në fjalë? 
-Deri këtu ka shkuar mjaft mirë, por mbetet akoma shumë për të realizuar. Ky është si një ushtrim që duhet të përsëritet dhe të vazhdojë. Kjo nuk është një fushatë e bërë vetëm për disa muaj por është vetëm fillimi i diçkaje të cilën ne duam ta zhvillojmë. Ne po përpiqemi të adresojmë të dyja anët e çështjes. Në njërën anë është  arritja e ndërgjegjësimit të duhur dhe mbase përpjekja për të influencuar sjelljen shoqërore, qëndrimet e njerëzve, duke promovuar në fakt debatet dhe krijuar më tepër vizibilitet. Nga ana tjetër jemi në kontakt me qeverinë dhe institucionet vendim-marrëse duke bërë të qartë se ndërgjegjësimi publik dhe sensitiviteti ndaj diskriminimit janë faktorë të rëndësishëm, por kjo do të realizohet me të vërtetë vetëm atëherë kur mjedisi ligjor të ofrojë siguri dhe mbrojtje. Situata rreth orientimit seksual në Shqipëri, siç mësojmë dhe dëgjojmë nga histori të ndryshme individuale, tregon se homoseksualët dhe minoritetet seksuale përballen me një diskriminim tepër të rëndë, ata konfrontohen me keqperceptimet e familjarëve të tyre, të miqve, të punëdhënësve, të policisë; keqperceptime të cilat janë negative, madje në disa raste përbëjnë arrijnë deri në përjashtim social. Kjo nënkupton se është shumë e vështirë për njerëzit që e ndjejnë se janë homoseksualë të dalin hapur. Për këtë do të nevojiteshin role-model, politikanë, yje televizioni, njerëz të sportit të cilët arrijnë të thonë hapur “Unë jam homoseksual” dhe “çfarë pastaj?”. Por njerëzit do ta bënin këtë vetëm nëse do të ndjeheshin mjaft të sigurt.
Kur mendoni se mund të ndodhë kjo në Shqipëri? Kur mendoni se njerëzit do të jenë gati të shprehen lirisht: “Unë jam homoseksual”? Deri më sot ne nuk kemi patur asnjë rast të tregohet aq kurajoz sa të deklarojë veten e tij/saj hapur.
-Kur mjedisi shoqëror është armiqësor, kur njerëzit nuk janë në dijeni të situatës dhe mendojnë se homoseksualiteti është diçka e çuditshme dhe e jashtëzakonshme nevojitet shumë kurajo që një individ të dalë hapur dhe të deklarojë “Dëgjoni, unë jam homoseksual”. Unë shpresoj që të vijë shpejt momenti kur homoseksualët të ndjehen të mbrojtur dhe të sigurtë për t’u shprehur lirisht. Në fakt ka mjaft shenja premtuese. Një nga këto shenja është fakti që qeveria shqiptare ishte një nga 66 qeveritë që nënshkroi Deklaratën e Kombeve të Bashkuara në vitin 2008, një deklaratë që denoncon diskriminimin në bazë të orientimit seksual. 66 është një numër i madh, por ka akoma shumë vende të tjera të cilat nuk e nënshkruan këtë deklaratë; Shqipëria e nënshkroi dhe ky është një fakt mjaft pozitiv. Së dyti, Shqipëria ka de-penalizuar dhe de-kriminializuar homoseksualitetin vite më parë. Një numër i konsiderueshëm vendesh nuk e ka bërë ende diçka të tillë. Edhe në këtë aspekt Shqipëria është në rrugën e duhur. Tani ekziston nevoja, e cila në fakt është edhe një nevojë ligjore për të hyrë në Bashkimin Evropian, për të pasur një ligj të duhur anti-diskriminimit, një ligj i cili mbron në mënyrë aktive të drejtat e të gjithë minoriteteve, pavarësisht nëse janë fëmijë, pakica etnike, individë me aftësi të kufizuara, minoritete fetare, apo minoritete seksuale. Është e rëndësishme të kundërshtojmë diskriminimin në mënyrë aktive, jo vetëm të themi “Nuk është krim të jesh homoseksual”, por të promovojmë antidiskriminimin. Në këtë mënyrë, shkollat, universitetet, familjet, punëdhënësit, policia, etj, duhet të ndërgjegjësohen vërtet për këtë çështje.
Çfarë mund të thoni për rolin e shkollave dhe institucioneve? A mendoni se kanë një rol të rëndësishëm në këtë çështje?
-Unë mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme është fakti që njerëzit kanë nevojë të kuptojnë se homoseksualët janë si ju dhe si unë; ata nuk janë ndryshe, por kanë një orientim të ndryshëm seksual; ata nuk bëjnë gjëra të çuditshme; ata nuk kanë një pamje të çuditshme, nuk janë të sëmurë dhe as nuk kanë nevojë për kurim. Aspekti më i rëndësishëm është të jemi të ndërgjegjshëm se në grupin e njerëzve që punon ose studion me ne disa mund të jenë heteroseksualë, disa homoseksualë, dhe disa të tjerë mund të jenë biseksualë. Kjo duhet pranuar thjesht si një fakt jetësor. Njerëzit duhet ta kuptojnë që shoqëria është “shumë-ngjyrëshe”: ekzistojnë njerëz të ndryshëm nga raca, feja ose orientimi seksual, por ata janë të gjithë pjesë e së njëjtës shoqëri. Kjo duhet të jetë pjesë e procesit edukativ sepse janë prindërit dhe mësuesit të cilët duhet t’iu shpjegojnë fëmijëve se si është bota. Siç e kuptoj unë, megjithëse në Shqipëri edukimi seksual është pjesë e kurrikulës shkollore, mbase është shumë i fokusuar në aspektet biologjike dhe riprodhuese të edukimit seksual. Për ta zgjeruar këtë në aspektin emocional të seksit, duke përfshirë këtu edhe çështjen e orientimit seksual, do të nevojitej ndryshimi i kurrikulave. Unë mendoj se në lidhje me shumë tema shkolla është pikërisht nga ku duhet të fillohet të punohet. Fëmijët janë e ardhmja e këtij vendi. Shqipëria që do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian do të qeveriset nga njerëzit të cilët sot janë në shkollë. Kështu, ju duhet t’ia përkushtoni vëmendjen tuaj brezit të ri.
Por çfarë do të thonit nëse kjo do të ishte një sfidë e madhe këtu në Shqipëri?
-Atëherë korniza ligjore ka nevojë për ndryshime në atë mënyrë që këta njerëz të ndjehen të sigurt të thonë lirisht “Ky jam unë, ligji i mbron në mënyrë aktive të drejtat e mia, dhe nëna dhe babai im do të më duan”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›