E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vranë kambistin, zbulohet grabitja

 

Etleva Delia

Policia e Tiranës zbuloi se tre autorët e vrasjes së kambistit, Agush Hyzoti një javë më parë në Durrës, kanë kryer plagosjen e Redina Shametit në Tiranë gjatë tentativës për ta grabitur disa muaj më parë. Vëllezërit Amarildo e Kevin Ranxha dhe Luis Vangjeli përvëç akuzës vjedhjes me armë me pasojë vdekjen, akuzohen edhe për vrasjen e mbetur në tentativë të pronares së pikës së këmbimit valutor “Kalenja” Sh.p.k., në rrugën e Kavajës në kryeqytet. Është dashur arrestimi i tyre për vrasje në Durrës, në mënyrë që policia të dokumentonte implikimin e të dyshuarve edhe në një ngjarje të ndodhur 3 muaj më parë në mes të Tiranës. Sipas burimeve nga policia mësohet se tre personat që ndodhen në qeli pas vrasjes së kambistit pak ditë më parë, mëngjesin e 18 shkurtit 2009 kanë tentuar të grabisin me armë pikën e këmbimit valutor. Gjatë kësaj tentative, ata kanë ndeshur në kundërshimin e pronares së exchange, e cili ka qenë duke hapur dyqanin. Njëri nga grabitësit ka tentuar t’i rrëmbejë çantën, ku ajo mbante paratë. E dëmtuara ka kundërshtuar ndërsa grabitësi ka qëlluar katër herë me pistoletë. Dy nga plumbat e drejtuar nga nëna e dy fëmijëve e kanë kapur në këmbë, duke bërë që ajo të mbijetonte. Sapo kanë marrë çantën dy të rinjtë e armatosur me pistoleta janë larguar me motor nga vendi i ngjarjes dhe policia ka mundur t’i identifikojë vetëm pasi ata kanë realizuar një ngjarje edhe më të rëndë, vrasjen e një kambisti në Durrës. Ballafaqimi i provave ka bërë të mundur edhe zbardhjen e ngjarjes së 3 muajve më parë.
VRASESIT E KAMBISTIT
Deri tani për 3 personat që ekzekutuan kambistin Agush Hyzoti në Durrës, policia ka mundur të dokumentojë implikimin e tyre në tre ngjarje. Vëllezërit Ranxha dhe 26-vjeçari Valngjeli kanë pranuar autorësinë për vrasjen e Hyzotit, ndërkohë që pas arrestimit të tyre është zbuluar se ata kanë realizuar edhe vjedhjen e një makine tip “Ford Fiesta”, në rrugën “Mihal Grameno” në Tiranë, më 18 prill të këtij viti. Gjithashtu është dokumentuar edhe grabitja që ka ndodhur më 18 shkurt të këtij viti, në rrugën e Kavajës, ku është tentuar të vidhet me armë pika e këmbimit valutor “Kalenja”, ku për pasojë është plagosur pronarja e kësaj pike Redina Shameti. Por për zbulimin e këtyre ngjarjeve, që sipas policisë dyshohet se nuk janë të vetmet që janë realizuar nga këta persona, është dashur vrasja e Agush Hyzotit. Ai është vrarë nga një breshëri automatiku në derën e shtëpisë së tij në lagjen 11 të qytetit. Hyzoti ka qenë duke u kthyer në shtëpi rreth kësaj ore dhe s’i ka shkuar nder mend se pikërisht në shkallën e banesës ku jetonte, në vend të fëmijëve që e prisnin çdo ditë, këtë radhe e priste një pritë e mirorganizuar, ku është qëlluar për vdekje. Ekzekutimi i tij ka ardhur pas grabitjes së rreth 30 mijë eurove që kishte me vete.

Plagosja e Shametit, pronares së exchange

TIRANE - Rreth orës 08:00 e mëngjesit të datës 18 shkurt 2009, kur Redina Shameti dhe bashkëshorti i saj, kanë shkuar për të hapur dyqanin e tyre Exchange, në hyrje të rrugës së “Kavajës” në kryeqytet. Bashkëshorti i saj ka qenë duke parkuar makinën, ndërkohë që 36-vjeçarja ka hapur dyqanin, i cili ishte në rikonstruksion. Ndërkohë dy të rinj kanë qenë duke pritur momentin e përshtatshëm për të hyrë në dyqan dhe kishin ndaluar me motor vetëm disa metra larg tij. Sapo Redina është futur brenda, njëri nga të rinj, i cili ka qenë i armatosur është nisur në drejtim të saj, ndërsa tjetri ka qëndruar jashtë për të vëzhguar situatën. Sipas dëshmisë së saj në polici, djali që është futur brenda i ka kërkuar çantën asaj, duke e kërcënuar me pistoletë. Ndërkohë ajo e ka kundërshtuar dhe ai ka qëlluar 4 në herë në drejtim të saj, duke e plagosur në këmbë. “E rëndësishme është që mua dhe bashkëshortit tim nuk na ndodhi asgjë, gjithçka u mbyll me aq. Tani nuk dua t’ia di më për autorët. As i njoh dhe as që dua t’i njoh”, është shprehur Redina Shametaj në një prononcim për gazetën “Panorama”, vetëm disa orë pasi kishte dalë nga spitali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›