E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe: Do jetoj në Shqipëri ndaj besoj se do të kem sukses

 

Leonard Karaj

Nuk është zyrtarizuar ende, por 99 % ai do të jetë trajneri i ri i kombëtares shqiptare. Direkt pas tratativave me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit Josip Kuzhe ka dhënë një konferencë për shtyp, në të cilën u nis si kandidat por e përfundoi sikundër të kishte firmosur tashmë kontratën me FSHF-në. "Kam pranuar të futem në bisedime për të qenë trajner i Shqipërisë, sepse kam marrë informatat e duhura mbi futbollin tuaj. Më kanë thënë se këtu ka tepër lojtarë të rinj të talentuar dhe unë jam i bindur se do e bëj mirë punën me ta. Shqipëria ka shanse të ngjitet në vazon e katërt në grupet e eliminatoreve në Evropë. Gjithsesi, mendoj se suksesi i kombëtares shqiptare duhet të përcaktohet mirë. Unë besoj se do të ishte një sukses shumë i madh, nëse njerëzit ndihen krenarë për kombëtaren e tyre. I kam të gjitha cilësitë e duhura për të drejtuar Shqipërinë, për të përzgjedhur lojtarët dhe bërë një ekip të mirë. Synimi im është që ta përmirësojë sa më shumë këtë ekip. Kam ambicie të mëdha", ka pohuar Kuzhe.
Ndikimi i Bariçit
Udhërrëfyesi i tij është Otto Bariç, ndaj edhe për bashkëpatriotin e tij ai ka veçse lëvdata. "Sigurisht, gjatë gjithë kohës që Oto Bariç ka qëndruar në Shqipëri, kemi ndjekur vazhdimisht rezultatet e kombëtares. Nga ana tjetër, Bariç më ka folur gjithmonë shumë mirë për futbollin shqiptar. Bariç më shprehu dëshirën që unë të bëhesha trajneri i Shqipërisë, duke më shpjeguar shumë gjëra të tjera. Dhe gjëja më e rëndësishme nga bisedat që kam bërë me të, është se konkluzioni ka qenë se Shqipëria ka shumë lojtarë të mirë dhe me një trajner të aftë, mund të bëj një kombëtare dinjitoze në të ardhmen. Synimi më i madh për mua është, që nëse do të jem në krye të Shqipërisë, parësore është të kem rezultate. Oto Bariç më ka shpjeguar që me Shqipërinë mund të kesh arritje të mëdha", vazhdon Kuzhe.
Bogdani
Duket rastësi por në daljen e parë të Bogdanit nga Shqipëria ka qenë pikërisht Josip Kuzhe që e ka pritur. Sulmuesi shqiptar ka qenë pjesë e NK Zagreb më 1989-1999 kur këtë skuadër e drejtonte Kuzhe. "Në atë periudhë Bogdani ka qenë tepër i ri dhe skuadra e Zagrebit ishte stacioni i parë, pasi u largua nga Shqipëria. Ai erdhi në Zagreb, pasi ne nuhatëm talentin e tij, teksa nuk kishim nevojë ta provonim, sepse patëm bindje në vlerat e tij. Unë mendoj se në atë vit që Bogdani luajti me Zagrebin, shërbeu si një eksperiencë shumë e vlefshme për të, që më pas të kalonte në Serinë A. Si trajner që jam, e kam ndjekur vazhdimisht karrierën e Bogdanit dhe sukseset që ai ka arritur me aktivizimin në një nga kampionatet më të forta në botë. Si një ish-trajner më bëhet qejfi për të. Me aq sa kam ndjekur dhe folur me kolegët e mi, di që gjatë gjithë kësaj kohe, ai ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pikat më të forta të kombëtares shqiptare. Gjithashtu, profili që unë kam në kokë për një futbollist si Erion Bogdani, më ndihmon shumë për të krijuar një ide për lojtarët e tjerë shqiptarë. Imagjinata ime për një lojtarë shqiptar, është që të jetë i mirë. Unë shikoj se lojtarët e kombëtares shqiptare shquhen për një shpirt të lart gare si ekip, por që kanë ende shumë për të përmirësuar në aspektin taktik të lojës", ka vazhduar trajneri kroat.
Konkluzioni
Do të jetojë në Shqipëri dhe këtë nuk e shikon aspak si një problem. Pikërisht kjo gjë i ka dhënë përparësi përballë kandidatëve të tjerë. "Siç e tha edhe presidenti, unë jam një nga kandidatët e mundshëm për të drejtuar kombëtaren. Sigurisht që unë e pëlqej këtë post dhe vijë në Shqipëri me një respekt mjaft të madhe për këtë vend. Nëse do të jem trajner i Shqipërisë, vij për dy arsye tepër të forta: Së pari për anën profesionale dhe së dyti është që unë dua të fitoj në drejtimin e Shqipërisë. Dua të arrij rezultate shumë të mira. Jam i lumtur nëse do të jem dhe se dua që të jetoj në Shqipëri, për t'i njohur sa më mirë njerëzit këtu. Dua që të ndihem mirë dhe të punoj për të arritur rezultate, sepse Shqipëria ka shumë talente. Unë imagjinoj se duke pasur këta lojtarë dhe me një trajner me eksperiencë, do të ketë shumë suksese. Drejtimi i Shqipërisë, për mua është një motiv i madh. Mendoj se e kam eksperiencën e duhur për t'i shërbyer në mënyrën më të mirë kësaj kombëtareje", ka përfunduar Kuzhe.

“Mos më krahasoni me Lonçareviç & Pakult”
Josip Kuzhe nuk ka qenë gjithsesi i vetmi kandidat për kreun e trajnerit të kombëtares ndaj kur pyetet për Lançareviç dhe Pakult ai devijon menjëherë drejtim. “Unë nuk mund ta krahasojë veten me trajnerët e tjerë. Unë di të them se mund të bëj gjëra shumë të mira për Shqipërinë, por kurrë nuk dua ta krahasoj veten me të tjerët”.

I përkëdheluri i tifozëve të Dinamo Zagrebit
“Unë besoj se tifozët e Dinamos më kanë pëlqyer së tepërmi, dhe e  di sa të rëndësishëm janë. U caktova trajner i Dinamos para tre vitesh, në një moment shumë të vështirë që kishte kaluar klubi në lidhje me anën financiare. Në klub nuk kishte të ardhura dhe në atë moment fansat ishin të rëndësishëm për ne, që të krijonim një atmosferë pozitive”.

“Ruandën e lashë për ca para më shumë”
“Unë kam kaluar një periudhë mjaft të bukur me ekipin kombëtar të Ruandës dhe ruaj kujtimet më të mira nga ajo eksperiencë. Në një shtet fantastik si Ruanda ndihesha shumë i lumtur, por një ofertë shumë e mirë nga një klub japonez bëri që të largohesha. Marrëdhëniet e mia me Ruandën kanë ngelur të shkëlqyera”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›