E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pagat e pensionet rritje sa inflacioni”



ADI SHKEMBI

Misioni i Fondit Monetar i ka rekomanduar Qeverisë shqiptare, ngrirjen e fondit për rritjen e pagave dhe pensioneve dhe një ulje drastike të buxhetit të shtetit, në mbi 600 milionë USD. Konkluzionet Paraprake të Misionit që vizitoi për 10 ditë Shqipërinë, parashikojnë masa të rrepta për financat. Sipas konkluzioneve të FMN, parashikimi i të ardhurave tregon qartë se shpenzimet e parashikuara nuk mund të realizohen. FMN kërkon uljen e borxhit deri në 3 për qind të GDP. Reduktimi i shpenzimeve nga Qeveria me 30 miliardë lekë, e ulë borxhin në 5.6 për qind të GDP. FMN kërkon që deficiti të ulet në 3 për qind të GDP, që do të thotë një ulje tjetër e shpenzimeve me rreth 30 miliardë lekë të tjera. Nga ana tjetër FMN, indirekt kërkon që jo vetëm të mos ketë më ulje të taksave, por tregon se ulja e taksës së punës nuk ndikoi në rritjen e numrit të të punësuarve, por përkeqësoi bilancin e Sigurimeve Shoqërore. Në paragrafin e raportit për buxhetin, tregohet qartë se këtë vit Shqipëria duhet të shtrëngojë rripin në mënyrë që ekonomia të rimëkëmbet.
Raporti për buxhetin
"Tkurrja fiskale duhet të vihet në zbatim shpejt, pasi rigjallërimi optimist dhe i shpejtë i parashikuar në buxhetin e 2010 dhe në kuadrin fiskal afatmesëm ka pak gjasa të ndodhë. Megjithë shkurtimet domethënëse në buxhetin e 2010, të propozuar në Kuadrin e Ri Markoekonomik Afatmesëm të Qeverisë-rreth 30 miliardë lekë ose 2.5 për qind e PBB-së-prirjet aktuale të të ardhurave nënkuptojnë një deficit prej 5.6 për qind të PBB-së. Rishikimi i buxhetit në muajt e ardhshëm duhet të synojë të ulë defiçitin në rreth 3 për qind të PBB-së. Kjo do të ulë kërkesën për financime, do të mbështesë përshtatjen e llogarisë korrente dhe do të shënojë hapin e parë drejt bërjes të besueshme dhe të arritshme të objektivit të përshtatshëm të Qeverisë, për ta ulur borxhin publik përsëri në 50% të PBB-së në fund të mandatit të saj në 2013. Si rritja e të ardhurave, ashtu dhe shkurtimet e shpenzimeve duhet të jenë në axhendë.
Pritshmëritë për të ardhurat duhet akoma t'i përshtaten një mjedis post-bum më pak të bollshëm. Si në pjesën më të madhe të Evropës Lindore dhe në rajon, të ardhurat nga taksat kanë rënë, pasi baza e taksave u rrit gjatë periudhës së bumit-sidomos nga importet shumë të larta, konsumi dhe çmimet e pasurive të paluajtshme-por tashmë ato po përshtaten në nivele të reja më të ulëta të përhershme. Prandaj, uljet e taksave dhe kontributeve në të shkuarën, që bazoheshin në bumin e rritjes së të ardhurave, duhet të rishikohen. P.sh. ka pak prova se ulja e normës së kontributeve të sigurimeve shoqërore vitin e kaluar ka përmirësuar pagesat siç pritej atëherë, ndërsa nga ana tjetër, ka përkeqësuar defiçitin e pensioneve në 2.5% të PBB-së, një nivel i lartë po të merret parasysh konteksti i Shqipërisë me një popullsi relativisht të re. Ndonëse është tunduese në klimën aktuale-duke qenë se ka mundësinë për një rritje të njëhershme në të ardhura-një amnisti fiskale duhet marrë në konsideratë vetëm si mjeti i fundit, pasi rrezikon të kërcënojë pagesat e taksave në të ardhmen dhe besueshmërinë e sistemit tatimor.
Rritja e kohëve të fundit në shpenzime ka hedhur dyshime mbi aftësinë e Qeverisë, për të mbajtur një sektor publik të vogël. Në situatën e tanishme, kjo kërkon që të mos shpenzohet sasia e mbetur e kontigjencave prej 0.4% të PBB-së në buxhetin e 2010. Ajo që është më thelbësore dhe me një efekt më afatgjatë, është e rëndësishme që investimet publike të sillen përsëri në nivele më të financueshme dhe më të menaxhueshme nga ana administrative, pas përfundimit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Po aq e rëndësishme është që shpenzimet korente të rishikohen, me synim për të optimizuar shërbimin civil dhe për të mbajtur pagat dhe pensionet nën kontroll. Këtë situatë mund ta ndihmonte indeksimi i këtyre të fundit vetëm me inflacionin."

“General Electric” i kërkon 20,6 milionë USD Shqipërisë

Shqipëria duhet të paguajë një gjobë të majme prej 20.66 milionë dollarë për shkak të prishjes së njëanshme të kontratës me kompaninë "General Electric". Gjykata e distriktit të Kolumbias, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rolin e një pale të paanshme për gjykimin e vendimeve të hershme gjyqësore, në seancën e 16 marsit ka konfirmuar si fituese kompaninë amerikane, duke i adresuar kështu Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit një vendim jo pozitiv. E gjithë historia filloi në 15 shtator 2003 kur qeveria e asaj kohe nënshkroi një kontratë me "General Electric", e cila i jepte kësaj të fundit të drejtën për ndërtimin e hekurudhës më moderne në vend, me një tren elektrik që do të lidhte kryeqytetin me Kavajën. Me ardhjen e Qeverisë së re, kontrata u prish nga pala shqiptare dhe për këtë filloi edhe seria e gjyqeve ku "General Electric" kërkonte të drejtën si palë e dëmtuar. Në 1 tetor 2007, Gjykata e Arbitrazhit vendosi që pala e dëmtuar të kompensohej sepse shteti shqiptar kishte shkelur një nga pikat e Kodit Civil italian (kujtojmë se kontrata është nënshkruar sipas ligjeve italiane).

Privatizimet,rregulloni imazhin me OSSH
"Suksesi i privatizimeve të shkuara ka nevojë për kujdes për të pritur eficencën e shpresuar dhe për të ruajtur reputacionin e përmirësuar të Shqipërisë për investime të mëdha. Në këtë kontekst, ne inkurajojmë zgjidhjen e shpejtë të çështjeve rregullatore që i përkasin OSSH-së." Në raportin e FMN shikohet se konflikti me çekët që blenë OSSH, mund të rrezikojë imazhin e Shqipërisë. "Përveç kësaj, pas privatizimit ARMO ka pasur vonesa në shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe ato me ndërmarrjet e tjera, gjë që e vë në rrezik privatizimin e suksesshëm të Albpetrolit-pra dhe përfundimin e programit të privatizimeve strategjike. Ne rekomandojmë që Albpetroli të ndërmarrë hapa ligjorë për të rikuperuar detyrimet e pashlyera që i ka ARMO-s." Megjithatë, sipas FMN, programi i privatizimit nuk ka shumë gjasa të gjenerojë të ardhura domethënëse.

INSTAT të përmirësojë cilësinë
"Statistikat makroekon-omike të shëndosha janë thelbësore për një politikë-bërje të aftë dhe për besimin e investitorëve. Agjencia kombëtare e statistikave, INSTAT, ka bërë progres të jashtëzakonshëm në vitet e fundit, p.sh. duke filluar me publikimin e llogarive kombëtare tremujore dhe duke përmirësuar vazhdimisht cilësinë e tyre. Megjithatë, ka hapësirë të konsiderueshme për përmirësim të mëtejshëm. Në mënyrë të veçantë, autoritetet duhet të konsiderojnë një rritje të ndjeshme të burimeve për INSTAT-in, me qëllim që të rritet cilësia e burimeve të të dhënave të disponueshme - jo vetëm jashtë administratës publike, por edhe brenda saj - si dhe për të lehtësuar përpunimin e të dhënave, menaxhimin dhe analizën. Qëllimi për t'u regjistruar në SDDS (standardi i veçantë i përhapjes së të dhënave) i FMN-së është për t'u përshëndetur."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›