E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet taksa për shitjen e makinave të përdorura



Qeveria parashikon të zëvendësojë taksën doganore për importin e makinave me taksën e mjedisit për tregtimin e automjeteve të përdorura. Projekti, që pritet të konfirmohet edhe nga BE, është pjesë e detyrimeve për tregtinë e lirë. Pra, Shqipëria, nuk mund të vendosë detyrime tatimore shtesë për produktet që vijnë nga vendet e BE. Por, financat kanë gjetur një tjetër mënyrë, edhe më të shtrenjtë për të zëvendësuar doganën e makinave. Duke pasur si synim, mbrojtjen e mjedisit, financat kanë propozuar një lloj tjetër detyrimi për ata që blejnë makina të përdorura nga jashtë. Por ky detyrim i ri, do të përdoret edhe për shitjen e makinave, brenda vendit. Në relacionin e ligjit, shpjegohet qartë se taksa e re, do të përdoret edhe për tregtimin e makinave brenda vendit. "Mjetet e transportit nuk do të taksohen me tarifa fikse por në varësi të cilindratës, vjetërsisë dhe llojit të karburantit.
Gjithashtu taksimi do të përdoret në të gjitha shitjet e njëpasnjëshme që mund të pësojë një mjet, duke përfshirë edhe shitjet brenda vendit. Në këtë mënyrë taksa e derisotme e importimit të mjeteve të përdorura nuk do të jetë taksë me efekt të njëjtë me taksën doganore, duke e sjellë taksimin në linjë me angazhimet që kemi ndaj MSA apo OBT.". Formula e re e financave, ndryshon në përcaktimin e koeficientit. Deri tani, për llogaritjen e doganës së makinës llogaritej cilindrata e motorit, taksa fikse për karburantin që përdor makina dhe koeficienti i vitit të prodhimit. Ligji parashikonte që koeficienti për makinat të prodhuara para 10 viteve të ishte 0.0048, ndërsa koeficientet e tjerë ulen çdo tre vite. Taksa e re e propozuar nga financat parashikon një koeficient fiks prej 0.5 për çdo vit vjetërsie të makinës. Ky koeficient, do të përdoret edhe për llogaritjen e taksës së mjedisit për makinat që shiten brenda Shqipërisë. Pra për makinat që kanë paguar doganë dhe që qytetarët i shesin pas përdorimit për një kohë në vend. Kjo taksë do të llogaritet duke zbritur nga tatimi i mjedisit, vlerën e doganës që është paguar për makinën.
Shembulli për importin e makinës
E gjithë politika e re e financave, ka të bëjë me importin e makinave me sa më pak vite prodhimi. Për ta bërë më të thjeshtë kuptimin e ligjit të ri po marrim një shembull. Kështu, një makinë nafte e prodhuar në vitin 2008, me cilindratë 2500 kubik e importuar sot, duhet të paguajë doganë sipas formulës së vjetër. Pra taksa fikse x cilindrata e motorit x koeficienti i viteve të përdorimit. Sipas kësaj formule dogana do të llogaritej, 25000 x 2500 x 0.0024. Sot qytetari duhet të paguajë 150 mijë lekë. Me formulën e re, llogaria del ndryshe. Formula llogaritet: taksë fikse x cilindrata e motorit x koeficienti i viteve të përdorimit, 0.5 në vit. Pra, tarifa do të ishte: 25 x 2500 x 0.5 x 2 vite. Me formulën e re qytetari do të paguajë 62500 lekë. Pra do kursehen 87500 mijë lekë.
Shembulli për shitjen e makinës brenda vendit
Një qytetar ka blerë jashtë Shqipërisë në vitin 2008 një makinë me naftë, të vitit 1996. Makina ka një cilindratë prej 2500 kubik. Ai e ka zhdoganuar makinën në bazë të formulës së vjetër vlera e të cilës llogaritet: Taksa fikse x cilindrata e motorit x koeficienti i viteve të përdorimit. Pra formula në këtë rast ka qenë, taksa fikse për automjetet me naftë, 25000 lekë shumëzim për cilindratën 2500 shumëzim për koeficientin e makinave mbi 10 vjeçare 0.0048. Qytetari ka paguar 300 mijë lekë doganë për makinën e importuar në vitin 2008. Në rast se sot ky qytetar do të dojë të shesë makinën, atëherë ai duhet të paguajë edhe taksën e mjedisit. Por duke qenë se qytetari e ka paguar një herë doganën, atëherë taksa shtesë që duhet të paguajë ai, llogaritet nga shuma e taksës së mjedisit për vitin 2010 duke zbritur vlerë doganore të paguar në vitin 2008. Sot taksa e mjedisit për një makinë të viti 1996 llogaritet me formulën e re: taksë fikse x cilindratë x koeficientin fiks 0.5 për çdo vit vjetërsie. Pra formula për këtë rast është, taksa fikse 25 shumëzohet me cilindratën që është 2500 shumëzohet me koeficientin 7 (Koeficienti llogaritet duke shumëzuar vjetërsinë e makinës, (makina është prodhuar në vitin 1996 dhe po shitet në vitin 2010) pra 14 vjeçare me 0.5 që është koeficienti për çdo vit vjetërsie. Formula jep shifrën 437500 lekë. Në momentin e shitje së makinës, qytetari që e blen do të duhet të paguajë diferencës e taksës, 437500 me doganën e makinës të paguar ën vitin 2008, 300 mijë lekë. Pra kur të shitet makina do të duhet të paguhen edhe 137500 lekë shtesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›